Projekti i kogjenerimit është një ide inovative që përfshin lidhjen e sistemit të ngrohjes qendrore me termocentralin Kosova B përmes kombinimit të ngrohjes dhe energjisë. Për këtë arsye, në vend të djegies së mazutit me emetim të lartë, avulli i termocentralit do të përdoret për ngrohjen qendrore. Për më tepër, projekti gjithashtu parashikon rinovimin e rrjetit ekzistues dhe të nënstacioneve në të ardhmen si dhe masat shoqëruese për të mbështetur menaxhimin e Termokosit në fushat e planifikimit të biznesit, matjes së konsumit, faturimit dhe inkasimit.
Projekti përfshin një numër të madh të palëve të interesuara, të cilët përsëritin rëndësinë e projektit i cili shkon jashtë kufijve të Prishtinës. Palët e interesuara lokale të projektit janë Termokosi, Agjencia Ekzekutive e Projektit, e cila është përgjegjëse për zbatimin e projektit të mbështetur nga një konsorcium ndërkombëtar i konsulencës dhe në bashkëpunim të ngushtë me KEK-un. Ministria e Financave, e cila luan një rol kyç si marrës i fondeve, Komuna e Prishtinës, duke qenë pronar i Termokos-it dhe financues i një pjese të projektit, si dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik me interes të madh në projektin e një rëndësie të madhe për strategjinë e energjisë.
Nga ana tjetër, financuesit ndërkombëtarë të projektit janë: BE, Qeveria Gjermane, SIDA dhe Qeveria e Luksemburgut si dhe KfW (fondet e veta). Shuma e përgjithshme e fondeve të zotuara për këtë projekt është 30.1 milion €, kurse komuna merr pjesë me 2 milionë €. Projekti financohet përmes Kornizës për Investime në Ballkanin Perëndimor (WBIF) i cili është një instrument i BE-së, donatorëve dypalësh dhe institucioneve financiare ndërkombëtare në mbështetje të zhvillimit socio-ekonomik dhe pranimin në BE të Ballkanit Perëndimor nëpërmjet sigurimit të financave dhe asistencës teknike për investime strategjike.