Duke marr parasysh gjendjen faktike, KEK sh.a. kundërshton konkluzat e pabaza të cekura në raportin e Organizatës Joqeveritare “FOL” të publikuar më 02.08, lidhur me shkeljet e prokurimeve gjatë tremujorit të kaluar.
Lidhur me këtë si dhe të gjitha çështjet tjera të cilat kanë të bëjnë me KEK-un, ftohet organizata në fjalë, si dhe të gjitha palët e interesuara që për çdo proces të prokurimit t’i drejtohen Zyrës për Komunikime të Korporatës dhe t’i kërkojnë të gjitha dokumentet që u nevojiten për secilin proces të prokurimit që u intereson, dhe të mos dalin me konkluza dhe deklarata të cilat nuk pasqyrojnë realitetin. KEK sh.a. zotohet në transparencë të plotë përmes krijimit të qasjes në përputhje të plotë me ligjin për qasje në dokumente zyrtare, edhe pse ky ligj nuk e obligon KEK-un për dhënie të dokumenteve. Kjo ftesë u bëhet të gjitha palëve të interesit që të mos vjen deri tek keqinformimi i opinonit.
Të gjitha të dhënat rreth aktiviteteve të prokurimit tregojnë rezultatet më të mira në favor të KEK-ut. Faktet që flasin vet për vitin 2012 janë:
KEK- për gjashtëmujorin e parë të vitit 2012 ka përfunduar 245 aktivitet prokuruese, me ç’rast janë nënshkruar 228 kontrata vlera e të cilave është mbi 74 milionë euro. Lidhur me këto nga gjithsej 14 ankesa sa janë paraqitur ndaj KEK-ut në Organin Shqyrtuese të Prokurimit (OSHP), shumica kanë rezultuar negative (në favor të KEK-ut), asnjë nga ato nuk është urdhëruar të anulohet dhe vetëm 3 ankesa janë rikthyer në rivlerësim, që përbën 0.4% e tërë aktiviteteve prokuruese. Ky fakt e bën KEK-un me përqindjen më të ulët të aktiviteteve të kthyera nga OSHP. Të dhënat mund t’i shikoni edhe në ueb-sajtin e KRPP-së, ku KEK-u publikon të gjitha aktivitetet e prokurimit.
Sa i përket aktiviteteve prokuruese të cekura në raportin Monitorues të Prokurimit të Organizatës Joqeveritare “Fol”, KEK.sh.a dëshiron të sqarojë:
Për aktivitetin e prokurimit “Furnizim me shirit gome” KEK ka bërë vlerësimin duke u bazuar në Njoftimin për kontratë dhe Dosjen e tenderit. Ky aktivitet i prokurimit ka të bëjë me kontratën publike kornize me një Operator ekonomik.
KEK-u ka bërë vlerësimin duke u bazuar në LPP neni 4 që definon përkufizimin për kontratën kornizë. Sipas mendimit tonë, në këtë rast nuk kemi të bëjmë me shkelje, pasi që në bazë të këtij neni vlerësimi i tenderëve për kontrata kornize me një operator ekonomik bëhet duke u bazuar në sasi të përafërta.
Për aktivitetin e prokurimit “Ruajtja dhe sigurimi i Objekteve të KEK-ut” , KEK ka bërë vlerësimin duke u bazuar në LPP, Rregulloren e Prokurimit dhe Udhëzuesin Operativ për Prokurim, dhe pikërisht në nenet e cekura më lartë, ka vepruar konform gjendjes faktike te ofertave. KEK ka pasur një operator ekonomik të përgjegjshëm dhe ka vepruar konform autorizimeve dhe përgjegjësive që i jepen Zyrtarit të Prokurimit të Autoritetit Kontraktues, gjë që vërtetohet edhe me mendimin e Ekspretit shqyrtues të dhënë panelit shqyrtues.
Për aktivitetin e prokurimit “Shitja e Thëngjillit’, bazuar ne LPP-në, kemi të bëjmë me shitje e jo me blerje dhe ky aktivitet i nënshtrohet rregullores për shitjen e aseteve.
Kur kemi të bëjmë me shitjen e aseteve synimi i të gjithë Autoriteteve Kontraktuese është shitja me çmimin më të lartë të ofruar dhe KEK ka dashur të arrijë inkasim më të lartë të mjeteve financiare nga thëngjilli i shitur.
Si përfundim, mund të konkludohet se KEK sh.a. vepron gjithnjë konform rregullave dhe ligjeve në fuqi,e në këtë rast në bazë të Ligjit të Prokurimit Publik.