Korporata Energjetike e Kosovës sh.a. (KEK sh.a.) është ndërmarrja kryesore energjetike në Republikën e Kosovës. Ajo është e integruar vertikalisht dhe është korporatizuar në fund të vitit 2005. Asetet e Korporatës janë nën pronësi të plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në periudha të ndryshme kohore KEK sh.a. iu nënshtrua ndryshimeve të shumta. Për një kohë të gjatë, sistemi energjetik i Kosovës ka qenë pjesë përbërëse e sistemit energjetik të ish-Jugosllavisë. Gjatë asaj periudhe, prodhimi i energjisë elektrike në Kosovë ka qenë i koncentruar në prodhimin e energjisë elektrike nga qymyri (termo) dhe në një sasi shumë të vogla nga uji (hidro). Gjatë kësaj kohe furnizimi me energji elektrike nuk është bërë vetëm nga termocentralet e Kosovës, por edhe nga burimet tjera që prodhonin energjinë elektrike e që ishin të shpërndara në tërë territorin e ish-Jugosllavisë. Pas vitit 1999, KEK-u kaloi nëpër disa faza të ristrukturimit dhe ndryshimeve organizative e operative, për të shënjuar së fundmi procesin e ndarjes së plotë dhe më pas edhe të privatizimit të afarizmit të shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike, e cila përfundoi në vitin 2013 dhe tani ky afarizëm është nën pronësi private, me përgjegjësi të plotë ligjore për shpërndarje dhe furnizim të konsumatorëve me energji elektrike. Sot, funksion parësor i Korporatës është prodhimi i qymyrit dhe gjenerimi i energjisë elektrike. Për të përmbushur këto dy funksione, KEK-u është i organizuar në dy Divizione qenësore, Divizionin e Mihjeve dhe Divizionin e Gjenerimit. Korporata operon me mihjen sipërfaqësore të linjitit, gjegjësisht Mihjen e Sibovcit Jugperëndimor, dy termocentrale, TC "Kosova A" dhe TC "Kosova B". Funksionet e Korporatës rregullohen përmes politikave të Zyrës së Rregullatorit për Energji të Republikës së Kosovës. Korporata ka të punësuar rreth 4700 punonjës të fushave të ndryshme të operimit.