KEK sh.a. shpreh mospajtime të plota me deklaratat e Nazim Halitit nga Konsorciumi i Organizatave të Shoqërisë Civile për Energji lidhur me tarifat e energjisë elektrike. KEK sh.a. sqaron edhe njëherë se nuk ka kërkuar që çmimi të rritet 23 për qind, por ka ofruar tri variante, që ato të rriten 23, 12 ose 9 për qind. Deri tek kjo kërkesë nuk ka ardhur si pasojë e keqmenaxhimit të KEK-ut siç akuzon z. Haliti krye në vete duke ofruar argumente që nuk përkojnë me realitetin, por nga metodologjia tarifore e aprovuar nga ZRrE që është obliguese për KEK-un. Z. Haliti fillimisht konstaton se Termocentrali “Kosova B” po u mbyllka në vitin 2017 dhe KEK-u po keqmenaxhon që po investon në të. Kjo nuk është e vërtetë sepse ky termocentral parashihet të jetë në punë të paktën deri me 2025.
Ai i cekë humbjet që gjoja qenkan 37-40 për qind dhe këtë e quan keqmenaxhim. Por, sikur të analizohen trendet e humbjeve të cilat nga 55 për qind sa kanë qenë janë zvogëluar në 36 për qind dhe kanë tendencë të rënies së mëtutjeshme edhe këtë vit tregon se nuk kemi të bëjmë me këqmenaxhim, por me menaxhim efikas. Gjatë periudhës katërvjeçare inkasimi është dyfishuar, prodhimi është rritur vazhdimisht 5-10 për qind në vit me kapacitete të njëjta dhe është siguruar furnizimi me qymyr i termocentraleve deri në mbylljen e tyre. Këto rezultate nuk janë keqmenaxhim, por menaxhim efikas të cilat e kanë bërë KEK-un kompani të vetëqendrushme.
Menaxhmenti i KEK-ut nuk është i kënaqur aspak me nivelin e humbjeve përkundër zvogëlimit të vazhdueshëm të tyre dhe po i lufton i vetëm ato, pa pasur mbështetjen e dy mekanizmave të rëndësishëm siç janë shoqëria civile dhe gjykatat. Luftimi i secilës dukuri negative që e kaplon një shoqëri nuk është asnjëherë detyrë e vetëm një subjekti, por e tërë hallkave të shoqërisë. Prandaj, KEK kërkon nga shoqëria civile që në vend të akuzave të pabaza, të jap ndihmën e vetë dhe t’i ndihmojë korporatës në zvogëlimin e mëtutjeshëm të humbjeve.