Prezantimi i certifikimit të personelit sipas standardeve evropiane
Në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare për Standardizime më 06.10.2011 në Qendrën e Trajnimit të KEK-ut është organizuar një prezantim me temë“SISTEMI I VLERËSIMIT TË KONFORMITETIT – CERTIFIKIMI I PERSONELIT SIPAS SK EN ISO 17024”
. Prezantimi është bërë nga Kryeshefi i kësaj Agjencie Hafiz Gara, Udhëheqësi i Divizionit të Metrologjisë Agron Thaqi dhe eksperti i kësaj fushe Naim Mahmutaj. Të pranishëm në këtë prezantim ishin edhe përfaqësuesit e Divizionit për Prodhimin e Qymyrit, Divizionit të Gjenerimit, Divizionit të Shpërndarjes dhe të Divizionit të Serviseve të Korporatës.
Bashkëpunimi i Qendrës së Trajnimit me kompaninë ISQ nga Portugalia
Më 12.10.2011 në Qendrën e Trajnimit është organizuar një prezantim me temë “RËNDËSIA E PËRDORIMIT TË PROCESEVE TË SALDIMIT, KUSHTET DHE JETËGJATËSIA ETERMOCENTRALEVE”
. Prezantimi ka qenë një bashkëpunim i stafit në Qendrën e Trajnimit dhe kompanisë ISQ nga Portugalia. Prezantimi nga ana e KEK-ut është bërë nga Valbona Kadrijaj, ndërsa nga ISQ-ja Paulo Alexandre Chaves. Të pranishëm në prezantimi ishin përfaqësuesit e Divizionit për Prodhimin e Qymyrit, të Divizionit të Gjenerimit, Divizionit të Serviseve të Korporatës dhe përfaqësuesit e kompanive jashtë KEK-ut, si Instituti Inkos dhe Interingu.
Nxënësit e Lipjanit vizituan Qendrën e Trajnimit
Më 15.10.2011 Qendrën e Trajnimit e kanë vizituar nxënësit dhe mësimdhënësit e Shkollës Fillore “Vëllezërit Frashëri” në Lipjan. Për dy orë sa kanë qëndruar në Qendër këta nxënës janë njoftuar me kualifikimet profesionale dhe mundësitë e aftësimit profesional. Mundësitë që u janë ofruar përmes përdorimit të pajisjeve mund të jenë një informatë më shumë për orientimin e tyre në karrierë.
Stafi i Qendrës së Trajnimit është shumë i përkushtuar që forma të tilla të bashkëpunimit të organizohen edhe më tutje me qëllim të rritjes dhe thellimit të bashkëpunimit me institucionet e përfshira në fushën e arsimit dhe të aftësimit profesional.