Dje, me datë 6 dhjetor 2011, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Shkëlqesia e tij Christopher Dell, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, z. Besim Beqaj dhe ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Misionit të USAID-it në Kosovë, Azza el-Abd vizituan KEK-un për të parë përmirësimet e bëra në korporatë. Mysafirët u pritën nga anëtarët e Bordit të Drejtorëve të KEK-ut dhe nga Drejtori Menaxhues i KEK-ut, z. Arben Gjukaj. Me këtë rast, Ambasadori Dell dhe Ministri Beqaj kishin kënaqësinë të shohin progresin që KEK-u ka bërë si nga aspekti operativ ashtu edhe nga ai i arkëtimit të të hyrave. “Jam i impresionuar me përkushtimin dhe aftësitë që kam parë tek stafi i KEK-ut si dhe me vendosmërinë e tyre për të dhënë maksimumin që Kosova të ketë furnizim të sigurt me energji elektrike, e cila më jep optimizëm të madh rreth së ardhmes këtu”, u shpreh Ambasadori Dell gjatë vizitës në termocentralin Kosova B. Ambasadori Dell dhe Ministri Beqaj patën rastin që të shohin edhe punët që janë duke u bërë në riparimin gjeneral të njësisë B2 të Kosovës B, i cili do të kryhet deri në mes të kësaj jave kur njësia në fjalë do të kthehet në punë. Njësia e riparuar B2 do të jetë në gjendje të përformojë sikur në kohën kur ka qenë e re, përkatësisht me rastin e komisionimit në vitin 1984. “ Ju inkurajoj që të vazhdoni tutje. Jam i sigurt se punët që po bëhen këtu do të ndihmojnë të sjellin stabilitet në KEK dhe në furnizimin me energji elektrike”, shtoi Ambasadori Dell. Edhe Ministri Beqaj u nda mjaft i kënaqur me punët që po kryhen në gjenerim të energjisë elektrike dhe miniera. Z. Gjukaj i njoftoi mysafirët rreth investimeve të bëra nga KEK-u, sidomos në gjenerim, miniera dhe në disa projekte të cilat do të trajtojnë problemet mjedisore që lidhen me termocentralin Kosova A. “Eksploatimi i qymyrit nga miniera e Sibovcit Jugperëndimor tanimë ka filluar. Gjithçka është duke shkuar sipas planit dhe dinamikës në projektin energjetik që njihet si më i madhi i kryer në Kosovë në tre dekadat e fundit. Kemi krijuar siguri të furnizimit me lëndë djegëse të termocentraleve ekzistuese deri në fund të jetës së planifikuar operative”, tha z. Gjukaj gjatë vizitës në platformën e riparimit të pajisjeve xehetare. Drejtori Menaxhues gjithashtu njoftoi mysafirët e nderuar se KEK- është transformuar nga një kompani e cila punonte me humbje, të cilat arrinin deri në 40 milionë euro në vit, në një kompani të vetëqëndrueshme financiare, falë përformancës së përmirësuar të të gjitha divizioneve në korporatë, reduktimit të humbjeve komerciale dhe rritjes së arkëtimit. Dyfishimi i të hyrave nga viti 2006 i ka mundësuar KEK-ut që pos investimeve kapitale dhe shpenzimeve tejet të nevojshme operative, të investojë edhe rreth 40 milionë euro në projektet mjedisore. Investimi në projektet mjedisore është një detyrë esenciale e kompanisë për të siguruar një mjedis më të mirë dhe më të pastër për banorët që ndodhen përreth objekteve të prodhimit të KEK-ut. Në fund të vizitës, Drejtori Menaxhues, z. Gjukaj i shprehu Ambasadorit Dell falënderimin dhe mirënjohjen për ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe misionit të USAID-it në Kosovë për sektorin energjetik.