Ambasadori i Republikës së Francës, z. Jean Francois Fitou gjatë vizitës që i bëri KEK-ut, është njoftuar për gjendjen e korporatës nga Drejtori Menaxhues, z.Arben Gjukaj. Ai ka parë së afërmi punën që po bëhet në termocentrale dhe miniera.
“E shihni se në këtë moment po investojmë në riparimin e njësisë B2 të termcoentalit Kosova B. Ky riparim pritet të përfundojë në fund të muajit dhe presim që ky bllok do të prodhojë si në kohën kur ka qenë i ri”, tha Gjukaj gjatë vizitës në TC “Kosova B”.
Ai e ka njoftuar ambasadorin edhe për investimet në ambient. “Jemi në përfundim të projektit për rikultivimin e deponisë së hirit. Hapësirat që dikur gjeneronin ndotje tashmë do të shndërrohen në qendër rekreative. Njëjtë po veprojmë edhe me bartjen e sistemit hidraulik të hirit. Përfundimisht jemi duke filluar edhe me ndërrimin e elektrofiltrave në tri njësitë që janë në prodhim të termocentralit Kosova A”, tha Gjukaj.
Drejtori Menaxhues i KEK-ut e ka siguruar z. Fitou se pas ndërrimit të elektrofiltrave, termocentrali Kosova A do të ketë emision brenda standardeve të Bashkimit Evropian.
KEK ka në implementim projekte ambientale ku po investohen mbi 50 milionë euro. Këto investime dhe sigurimi i vazhdimësisë së prodhimit në miniera dhe gjenerim e kanë inkurajuar ambasadorin, i cili ka shprehur mbështetje të pa rezervë për korporatën.
Z.Fitou është shprehur tejet i kënaqur me gjendjen. “ Po shoh të kaluarën dhe të ardhmen. Gjithë kjo pasuri, ky thesar i Kosovës është në duar të sigurta dhe po menaxhohet mirë dhe sigurt. Jam i emocionuar dhe i lumtur për atë që po shoh këtu. Duke parë këtë, dëshiroj të theksoj se si partner ndërkombëtar i Kosovës, ne dëshirojmë të jemi edhe partner ndërkombëtar të KEK-ut, sepse me këtë ndihmojmë në zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik.”
Ai veçoi dy gjëra në këtë detyrë madhore. “Jam shumë i kënaqur që kompania ALSTOM, si partner strategjik i KEK-ut, ka ndihmuar KEK-un dhe unë jam i gatshëm të japë kontributin, si ambasador, që t’i mbajë ata të involvuar edhe më tutje për të vazhduar dhe për të thelluar këtë bashkëpunim. Gjëja tjetër që mund të them është se unë nuk jam këtu thjesht për turizëm dhe për të shikuar nga larg por me këtë ju them edhe njëherë se dyert e mia janë gjithmonë të hapura për t’ju ndihmuar në të gjitha nivelet”, tha z. Fitou.