Sot, më 05 gusht 2014, Ambasadori Republikës se Shqipërisë z. Qemal Minxhozi, vizitoi KEK-un.  Ai është pritur nga Drejtori Menaxhues i KEK-ut, z. Arben Gjukaj me bashkëpunëtorë. Gjatë vizitës së tij, z.Minxhozi, është informuar në detaje për zhvillimet në KEK dhe sektorin energjetik në përgjithësi. “ Përderisa kemi zotim maksimal politik për bashkëpunim mes dy vendeve tona, ky vullnet duhet të jetësohet sa më parë, në fusha konkrete institucionale. Në këtë vijë, qëllimi i kësaj vizite ishte thellimi dhe gjetja  e mundësive të reja të bashkëpunimit në sektorin energjetik. Çështje tjetër e rëndësishme është edhe ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike sa më shpejtë të jetë e mundur”, tha z. Minxhozi. z .Gjukaj e ka njoftuar z. Minxhozi në lidhje me përformancën e KEK-ut, bashkëpunimin e deritanishëm me korporatën simotër KESH si dhe nevojën dhe mundësitë e reja. “Aktualisht KEK-u, 95 për qind të  prodhimit të  energjetikë e ka të bazuar në termocentrale, ndërsa KESH-i 95 për qind në hidro-energji. Koordinimi planifikimeve dhe unifikimi i bilanceve paraqet rritje të sigurisë në furnizim dhe shfrytëzimin maksimal të resurseve nga qymyri dhe atyre hidrike, me kosto minimale”, tha z. Gjukaj. KESH më herët ka derdhur rezervat hidrike gjatë reshjeve të shumta, ndërsa KEK-u është gjendur në situatë të vështirë në rast të rënieve të paplanifikuara të njësive gjeneruese. Tash situata ka ndryshuar për të mirë. Në kohë të sezonit të reshjeve të mëdha, KEK kishte ndalur njësitë e veta, përderisa KESH kishte depozituar energji elektrike gjë që ka ndikuar në zvogëlimin e  rreziqeve  nga vërshimet. Në anën tjetër, në rastet kur KEK ka probleme me punën e njësive të veta, si është rasti tani në Njësinë Kosova A, KESH gjithmonë brenda mundësive ka dalë në ndihmë me sasi të energjisë shtesë. “Pavarësisht zotimeve politike, të konfirmuara tash së fundi,në tash e disa vite veç  kemi arritur një nivel bashkëpunimi të ngushtë mes dy korporatave simotra” shtoi z. Gjukaj. Në fund, të dy palët u pajtuan të përgatitet një propozim plan rreth mundësive të reja të bashkëpunimit në sektorin e gjenerimit të energjisë elektrike, që do të mund të jetësohet sa më parë.