KEK, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe USAID janë dakorduar të premten që të intensifikojnë bashkëpunimin për avancimin profesional dhe certifikimin ndërkombëtar për profesione që ka mungesë tregu në Kosovë. Zotim i tri palëve është që Qendra e Trajnimit të KEK-ut të shndërrohen në Qendër Rajonale Trajnuese dhe Certifikuese. Ky pajtim është arritur pas vizitës që i bëri Qendrës së Trajnimit në KEK, ministri  i Punës dhe Mirëqenies Sociale z. Nenad Rašic , i cili është pritur nga Drejtori Menaxhues i KEK-ut, z. Arben Gjukaj. “Qendra e Trajnimit në KEK tashmë jep certifikata ndërkombëtare për saldues dhe për operatorë të makinerive të renda. Punëtorët e certifikuar ndërkombëtarisht mund të punojnë edhe për kompanitë botërore”, tha z. Gjukaj. Ai shpjegoi se fokus i qendrës ka qenë në trajnimin dhe certifikimin e punonjësve dhe të papunëve për profesionet që ka mungesë tregu. Certifikimi për makineri të rënda që po bëhet nga kompania e mirënjohur amerikane HEVICERT është projekt i përbashkët KEK-USAID. Ministri Rašic  shprehu zotimin e tij që të ofrojë bashkëpunim në mënyrë që një numër sa më i madh i të papunëve të kenë certifikata që u krijon mundësi të shumta punësimi. “Certifikimi për profesione që ka mungesë tregu është i mirëseardhur dhe ndihma e ministrisë që drejtoj do të jetë e pakursyer me të gjitha mundësitë që kemi në dispozicion”, tha ministri Rašic . Tashmë grupi prej 40 punëtorëve ka përfunduar trajnimet, ndërsa nga rritja e bashkëpunimit numri i të certifikuarve që do të përfitojnë një profesion me certifikatë të njohur ndërkombëtare do të shkojë shumë shpejtë në qindra e në një të ardhme edhe në mijëra, pasi parashihet të certifikohen edhe punëtorë nga vendet e rajonit. Trajnimi i natyrës së tillë është i pari që kompania HEVICERT e kontraktuar nga USAID po e bën jashtë kufinjëve të SHBA-ve. Përfaqësues të saj janë shprehur mjaft të kënaqur me shkathtësitë dhe entuziazmin për aftësim që kanë arritur punëtorët e grupit të parë, që janë nga KEK-ut dhe nga ndërtimi i rrugëve. Qendra e Trajnimit të KEK-ut është hapur në vitin 2005. Gjatë këtyre  viteve, në këtë Qendër janë aftësuar dhe trajnuar mbi 18 mijë punëtorë të KEK-ut dhe jashtë tij.  Kjo qendër pos certifikimit të operatorëve për makineri të rënda, teknologjinë e saldimit merret edhe me teknologjinë elektrike, teknologjinë mekanike, Lëmin e sigurisë në punë etj.