KEK sh.a. dëshiron të sqarojë se asnjë borxh që kanë konsumatorët nuk do të falet. Konsumatorët që kanë borxhe do të jenë vazhdimisht subjekt i shkyçjes. Kjo është situata tani dhe do të jetë e tillë edhe pasi të jetë privatizuar Distribucioni i KEK-ut. Ka pasur spekulime në media se me rastin e privatizimit borxhet e kompanisë do të falen. Kjo definitivisht nuk qëndron. Faktet që duhen të sqarohen përsëri janë këto: · Gjendja e borxhit në llogarinë e secilit konsumator assesi nuk do të ndryshojë me rastin e shitjes së Distribucionit · Investitorit do t’i ofrohet stimulim nga ana e Qeverisë që të arkëtojë borxhet nga secili konsumator. Ky stimulim do të ndikojë që investitori i ri të jetë madje edhe më efikas në shkyçjen e konsumatorëve të cilët nuk paguajnë borxhet e tyre dhe do t’i mbajnë të shkyçur përderisa nuk paguajnë borxhet. · Në ndërkohë, KEK-u gjithsesi se do të vazhdojë t’i shkyçë konsumatorët të cilët nuk paguajnë. Është e qartë se konsumatorët duhet të paguajnë për energjinë të cilën e shfrytëzojnë çdo muaj si dhe të bëjnë pagesa shtesë nëse kanë borxhe të papaguara në llogaritë e tyre. Nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë atëherë edhe do të shkyçen. KEK-u duhet t’i trajtojë të gjithë konsumatorë barabar. Ata konsumatorët të cilët paguajnë do të kenë energji elektrike kurse ata të cilët nuk paguajnë do të jenë subjekt i shkyçjes.