KEK sh.a. njofton se të hënën, me 17.01.2011, me organizim të përbashkët të korporatës dhe Qendrës Kombëtare për Transfuzion të Gjakut është zhvilluar aksioni për dhurim vullnetar të gjakut. Këtij aksioni i janë përgjigjur vullnetarisht dhjetëra punëtorë të KEK-ut, përkatësisht të administratës qendrore. Ky aksion paraqet përkushtimin e KEK-ut për çështje të përbashkëta publike të karakterit human, të cilat u takojnë të gjithë qytetarëve. Zyrtarët nga Qendra e Transfuzionit janë ndarë mjaft të kënaqur nga aksioni. “Jemi mjaft të kënaqur me numrin e dhuruesve. Janë dhuruar doza të të gjitha llojeve të gjakut. Kemi falënderim të veçantë për punëtorët e KEK-ut, të cilët vijnë dhe dhurojnë në mënyrë vullnetare edhe kur nuk ka organizime të tilla”, tha Sabrije Prekaj nga Qendra e Transfuzionit.
Aksioni i dhurimit vullnetar të gjakut do të shtrihet edhe më tej në divizionet e korporatës, pasi të hënën ka patur kërkesa edhe nga divizionet, por për shkak të largësisë nuk kanë mundur të udhëtojnë në objektin e Elektrokosovës. Pra, aksioni për dhurim do të zhvillohet edhe në Divizionin e Minierave dhe atë të Gjenerimit.
Me dakordimin e dy institucioneve, 17 janari është caktuar të jetë ditë tradicionale kur punëtorët e KEK-ut dhurojnë gjak në mënyrë vullnetare.