KEK sh.a. njofton se pas angazhimit të pashembullt të punëtorëve të mirëmbajtjes është arritur të evitohen pjesa më e madhe e prishjeve të shkaktuara nga moti i lig i shoqëruar me erëra të forta. Nga mbi 150 prishje tashmë janë vetëm 10 prishje të cilat janë në riparim e sipër. Gjendja ka qenë më e rënda në Distriktin e Pejës, përkatësisht në Komunën e Istogut, ku kanë fryrë erëra aq të fuqishme sa nuk mbahen mend. Ekipet e KEK-ut nga të gjitha anët e vendit kanë shkuar në këtë komunë dhe janë duke i evituar prishjet përfundimtare. Në rajonin Pejës mbesin për tu riparuar 6 prishje, ndërsa gjendja në komunat tjera është stabile. Në riparim e sipër janë edhe dy prishje në Distriktin e Ferizajt, një në Prishtinë dhe një në Gjilan. Erërat e fuqishme kanë thyer shumë shtylla elektrike, përderisa kanë shkulur edhe shumë pullaze shtëpish. Ekipet e korporatës anekënd vendit janë mobilizuar për t’i evituar këto prishje, duke mos kursyer asgjë nga vetja e vet. Në situatën e tillë KEK kërkon mirëkuptimin e konsumatorëve të cilët janë ballafaquar me mungesë të energjisë elektrike dhe i falënderon si punëtorët për përkushtim të jashtëzakonshëm ashtu edhe konsumatorët që janë mobilizuar që gjendja t’i kthehet normalitetit.