Të nderuar, I nderuari ministër i zhvillimit ekonomik z. Besim Beqaj, I nderuari ministër i mjedisit dhe planifikimit hapësinor z. Dardan Gashi, E nderuara Ambasadore e SHBA-së në  Republikën e Kosovës Znj. Tracey Ann Jacobson, i nderuari Ambasadori i Francës në Republikën e Kosovës Z. Jean- François Fitou, I nderuari Ambasadori I Holandës, z.Robert Bosch, E nderuara Drejtoreshë e USAID-it, misioni në Kosovë, zonja Maureen Shauket, Zv/ambasadori i Ambasadës Gjermane z.Matthias Kiesler,  Zv/ambasadori i Ambasadës i Mbretërisë së Bashkuar, z. Joe Preston I nderuari z. Çitaku, anëtar i  BD të KEK-ut, I nderuari z. Keyan, Përfaqësues të Haman dhe Intering , Drejtorë ekzekutivë të KEK-ut, kolegë, të nderuar të pranishëm  Sot është njëra ndër ditët më të rëndësishme  për mua prej se jam pjesë e Korporatës Energjetike të Kosovës. Arsyeja është e thjeshtë: Po inaugurojmë një nga projektet më të mëdha ambientale jo vetëm brenda korporatës, por në tërë territorin e vendit. Mund të konsiderojmë lirisht se nga sot fillon periudha kur banorët e Kastriotit, Fushë Kosovës dhe të Prishtinës do të mund të marrin frymë më lirshëm prej se kur TCA është lëshuar në punë. Njësia A5 e termocentralit “Kosova A” tashmë operon në kufirin e emetimit të pluhurit prej 50 mg/Nm, që është brenda standardeve mjedisore të Bashkimit Evropian, për termocentralet e këtij lloji si  është specifikuar përmes Direktivës së BE-së për Centralet me djegie  te mëdha (,2001/80/EC (LCPD). Pra, sot ky bllok emeton në ambient 15 herë më pak ndotje se para ndërrimit të fundërruesit elektrostatik respektivisht eletrofiltrit. Këto janë asete që u takojnë të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe duhet trajtuar si të tilla. Në këtë frymë ne besuam në këtë projekt, prandaj edhe ia arritëm. Besuam, kur disa grupe të ndryshme të interesit  ishin kundër operimit të këtij termocentrali pa ofruar asnjë alternativë tjetër për furnizim me energji elektrike, ndërsa ne besuam dhe vazhdojmë të besojmë se është e vetmja alternativë deri në kohën e komisionimit të njësive të reja gjeneruese. Në tetor të vitit të kaluar kur KEK nënshkroi kontratë me kompaninë e mirënjohur botërore Hamon Environmental dhe atë Intering, këto kompani u zotuan në bazë të kontratës se do t’i bënin të tri blloqet e TC “Kosova A” të operonin ne përputhshmëri  me standarde mjedisore të BE-së. Rezultati i parë është arritur dhe po e shihni edhe vetë. Me këtë rast falënderoj konzorciumin implementues për profesionalizmin e lartë të treguar, përkundër shumë sfidave. Menaxhmenti i korporatës e përcolli këtë projekt dhe inspektoi punimet ditë pas dite, javë pas jave deri në ditën e sotme. Prandaj, përfundimi i këtij projekti na bën krenar, por nuk  do të ndalemi me kaq. Tashmë ka nisur ndërtimi i elektrofiltrit edhe për njësinë A3 dhe do të kryhet deri në fund te vitit, pastaj do të vazhdojmë edhe me njësinë A4 që do të thotë se  në vitin e ardhshëm përfundimisht i tërë TC A do të emetojë brenda standardeve të BE-së. Rezultatet e arritura te korporatës në katër vitet e fundit, kanë rezultuar me  dyfishim të të hyrave vetanake dhe një qëndrueshmëri financiare  për herë të parë që nga pas lufta. Si rrjedhojë, nga të hyrat vetanake kemi arritur të hyjmë në një investim prej mbi 25 milionë eurosh që do të lehtësojë jetën e mbi 700 mijë qytetarëve të vendit. Pas 50 vjetëve operim, termocentrali “Kosova A” do të operojë në një frymë tjetër, atë ambientale. Kjo është fryma që do ta ndjekë KEK-u. Viti 2012 është shpallur “Vit i Ambientit” nga KEK-u. Kjo për arsye se po  bëhen investime në të gjithë ndotësit kryesor të operimeve të korporatës. Ekspertët e ambientit kishin identifikuar katër ndotës dhe KEK po investon në eliminimin apo minimalizimin e ndotjes në të gjithë këta ndotës. Pos eletrofiltrave, KEK është duke e përfunduar edhe sistemin hidraulik të bartjes së hirit nga TC “Kosova A” drejt minierës së Mirashit. Ky projekt kap një kosto prej 8.7 milionë eurosh, ku 1 milion euro janë financim nga  Banka Botërore ndërsa pjesa tjetër prej 7.7 milionë eurosh para të KEK-ut. Ky projekt do të përfundojë sivjet ndërsa ndotja si pasoje e kalimit nga sistemi me shirita të hapur në sistemin hidraulik do të jetë zero. KEK kohë më parë ka nisur edhe Projektin për Pastrim dhe Rikultivim të Tokave  (PPRT) i financuar nga Banka Botërore/Qeveria Holandeze dhe KEK-u. Tashmë pjesa më e madhe e Kodrës së Hirit pranë TC “Kosova A” është mbuluar me dhe ndërsa do të mbulohet krejtësisht deri në fillim të vitit të ardhshëm. Edhe në këtë projekt ndotja nga hiri fluturues do të eliminohet. KEK tashmë ka implementuar edhe projektin për asgjësimin e mbi 20 mijë tonelatave të rrezikshme që gjendeshin në ish-Gazifikim. Pjesa më e madhe e tyre janë asgjësuar, ndërsa një pjesë tjetër janë vendosur dhe izoluar në pajisje të sigurta, prej nga do të transportohen jashtë vendit. Paralelisht me këtë KEK ka nisur edhe mbjelljen e fidanëve në deponitë e djerrinave dhe tashmë mbi 150 mijë fidanë janë mbjellur. Deri në fund të vitit do të mbillen po aq për të kompletuar numrin prej 300 mijë fidanëve që duhet mbjell. Të gjitha këto projekte kapin shumën e investimeve prej 50 milionë eurosh dhe e bëjnë KEK-un lider në investimet ambientale në nivel vendi. Me përfundimin e këtyre projekteve korporata do të synojë eliminimin e ndotjes së grumbulluar përgjatë një shekulli të punës dhe eksploatimit në këto hapësira si dhe do të vazhdojë të operojë shumë më pastër.