KEK sh.a. njofton se po furnizon të gjithë konsumatorët pa ndërprerje pas kthimit të njësisë B1. Ky bllok është kthyer në kohën më të shkurtër të mundshëm falë angazhimit maksimal të punëtorëve të termocentralit “Kosova B”. Kjo mundëson që së bashku me dy njësitë e TC “Kosova A” të ketë një prodhim prej mbi 500 megavatë/orë që së bashku me importin janë të mjaftueshme për mbulimin e kërkesës. KEK sh.a. u kërkon ndjesë konsumatorëve për situatën e krijuar gjatë 24 orëve të shkuara ku ka pasur vështirësi në furnizim dhe i siguron se po bën çka është e mundur për furnizim sa më të mirë me energji elektrike. Pikërisht që gjatë dimrit të jetë situata sa më stabile korporata po investon në remontin e planifikuar të njësisë B2 të TC “Kosova B”, që pas kthimit do të punojë me kapacitete të shtuara, përkatësisht do të gjenerojë afro 310 megavatë/orë apo si në kohën kur ka qenë krejtësisht i ri.