KEK sh.a. njofton se si pasojë e problemeve teknike me njësitë prodhuese gjendja e furnizimit me energji elektrike ka qenë e rënduar ditëve të fundit.
Ky përkeqësim ka ardhur pas furnizimit pa ndërprerje për muaj të tërë. KEK kërkon ndjesë ndaj konsumatorëve për rëndimin e situatës dhe i siguron ata se nuk ka ndenjur duarkryq, por ka rritur importin, edhe pse sigurimi i sasisë së nevojshme është i pamundur për shkak të mungesave në rajon.
Aktualisht kategoria A nuk ka reduktime, kategoria B po furnizohet 5:1 dhe kategoria C 4 me 2 në favor të dritës.
Stabilizimi përfundimtar pritet në orët e mbrëmjes pasi ekipet e KEK-ut në prodhim janë duke punuar gjatë 24 orëve pa ndërprerje që të normalizohet gjendja. Njësitë kanë filluar të kthehen në sistem dhe deri në orët e mbrëmjes pritet stabilizimi i plotë i furnizimit me energji elektrike kur nuk do të aplikohen më reduktime.
Dihet se për shkak të konsumit më të ulët gjatë verës dhe nevojës për riparime të rregullta vjetore dhe përgatitjes maksimale për stinën e dimrit, KEK i ka dërguar në remont vjetor të planifikuar dy blloqe, përkatësisht njësinë B1 dhe atë A3. Në remont ishte edhe njësia A4 e cila do të kthehet disa ditë para planifikimit si rezultat i punëve intensive që janë bërë për ta tejkaluar situatën e krijuar. Ndërkohë, njësisë A3 është duke iu ndërruar elektrofiltri në mënyrë që të ketë shumë më pak ndotje, përkatësisht të ketë emision brenda standardeve të Bashkimit Evropian.