Me daten 06 qershor 2014, pas orës 10:00 ka ndodhur një shpërthim në  repartin e  elektrolizës të  Termocentralit Kosova A. Menjëherë  pas marrjes së këtij informacioni ekipet mbikëqyrëse të KEK-ut kanë dalë në vendin e ngjarjes. Ndërkohë, që informacioni është shpërndarë në të gjitha institucionet relevante. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë e autorizuara të Policisë së Kosovës, të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave nga niveli qendror, komunal dhe ekipet mjekësore të qendrave të mjekësisë se punes dhe ato të QKUK-së. Si pjesë e planeve operative të reagimit emergjent, është vendosur të ndalen dy njësite e TC A, që ishin aktualisht, në prodhim, njësia A3 dhe A5, ndërsa që në vendin e ngjarjes të gjitha ekipet e specializuara bashkërisht me shpejtësi kanë filluar evakuimin e personelit që në atë moment gjendej duke punuar në atë repart si dhe në repartet përreth, si dhe është bërë sigurimi i perimetrit të zonës ku ka ndodhur shpërthimi . Të gjithë personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor në qendrat më të afërta mjekësore dhe në QKUK. Gjate ditës, në mesditë, është konfirmuar se situata është në kontrollë të plotë  dhe nuk ka rrezik të përsëritjes së aksidentit në atë zonë . Menjëherë, pas sigurimit të terrenit ka filluar procesi i kërkim-shpëtimit nga ana e ekipeve të specializuara për gjetjen e tre personave të evidentuar si të pagjetur nga zona e  shpërthimit. Ky proces ka përfunduar në orën 20:00. Si rrjedhim janë gjetur dy persona pa shenja jete nga ky aksident, Latif Jashari, 64 vjeç dhe Bashkim Mehana, 50 vjeç,  ishin punëtorë të KEK-ut që punonin në zonën e aksidentit. Personi i tretë në kërkim në atë zone, fatmirësisht gjindet i gjallë. Bëhet fjalë për Tefik Bela, 28 vjec, punëtor i një kompanie të jashtme që ka kontratë me KEK-un për furnizim. Personi në fjalë gjindet në trajtim mjekësor në repartin intensiv në QKUK, me ç’rast gjendja e tij raportohet të jetë ende në rrezik jete por stabile. Pas kësaj, tërë zona mbetet e rrethuar dhe nën kontrollin e Policisë se Kosovës me ç’rast ekipet forenzike kompetente dhe të hetuesisë kanë filluar një hetim të hollësishëm të  vendit të ngjarjes për gjetjen e shaktarit të këtij aksidenti. Me këtë rast, duhet të potencohet se Menaxhmenti i KEK-ut dhe Bordi i Drejtorëve të KEK-ut, është tejet i interesuar që procesi i hetimit të jetë sa më transparent dhe gjithëpërfshirës dhe shkaqet e aksidentit të gjinden sa më parë që të jetë e mundur. Në pajtim me këtë, ka bërë edhe ftesë për të gjitha institucionet relevante që të përkrahin këtë proces të hetimit me njësitë e tyre përkatëse të specializuara. Menaxhmenti KEK-ut ka ndërrmarr masa adekuate dhe ka vazhduar punën intensive në vlerësimin e dëmeve dhe inspektimit të njësive të termocentralit Kosova A, dhe përgatitjen e kthimit të tyre në punë në afatin e parë të mundshëm – natyrisht në koordinim me  organet kompetente, që jane duke i kryer të gjitha inspektimet dhe hetimet respektive.