Sot rreth orës 10:00 ka ndodhur një shpërthim në  repartin e  elektrolizës të Termocentralit Kosova A. Menjëherë  pas marrjes së këtij informacioni ekipet mbikëqyrëse të KEK-ut kanë dalë në vendin e ngjarjes. Ndërkohë që informacioni është shpërndarë në të gjitha institucionet relevante në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë e nevojshme policore ato të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave nga niveli qendror, Komunal dhe ekipet mjekësore të qendrave të mjekësisë familjare dhe ato të QKUK-së. Në vendin e ngjarjes të gjitha njësitë bashkërisht me shpejtësi kanë filluar evakuimin e personelit që në atë moment gjendej duke punuar në atë repart si dhe në repartet e tjera, në ndërkohë që kanë bërë edhe sigurimin e perimetrit të zonës ku ka ndodhur shpërthimi . Të gjithë personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor në qendrat më të afërta mjekësore dhe në QKUK dhe janë jashtë rrezikut për jetë. Aktualisht është bere evakuimi  i personelit  nga të gjitha repartet e Bllokut A. Pas veprimeve të ndërmarra në vendin e ngjarjes situata është nen kontroll dhe aktualisht nuk ka rrezik. Ndërkohë ju njoftojmë me informacionet më të reja.