Ditëve të fundit është vërejtur një volum i madh i shprehjes së pakënaqësisë nga ana e konsumatorëve lidhur me faturat e energjisë elektrike për muajin janar. KEK sh.a. fton të gjithë konsumatorët e pakënaqur t’i drejtohen Qendrave për Konsumatorë dhe të deponojnë çfarëdo ankese që kanë dhe korporata i siguron se secila ankesë do të adresohet dhe do të shqyrtohet deri në detaje. Në rast të leximit jo të rregullt apo të ndonjë gabimi në lexim apo faturim, KEK i siguron konsumatorët që do ta bëjë menjëherë korrigjimin. Ndryshe, nuk bëhet fjalë për faturim paushall, sepse faturimi kryhet çdo muaj e as për ndryshim të çmimeve, sepse ato mbesin të njëjta, për çka secili konsumator mund të bëjë krahasimin edhe vetë me faturën paraprake. Ndryshe, secili konsumator mund të bëjë edhe vetë verifikimin e gjendjes, duke e krahasuar gjendjen në njehsorin e tij me gjendjen e kilovatëve të shënuar në faturë.
Ne jemi në stinën e dimrit dhe dihet se gjatë stinës së ftohtë konsumi dyfishohet. Arsye është se një pjesë e madhe e konsumatorëve po ngrohen me energji elektrike. Ndërsa, Kosova ka tarifa që e stimulojnë kursimin, përkatësisht për 0-20 kilovatët e parë çmimi është më i liri, për 200-600 shkon duke u ngritur dhe për shpenzimin mbi 600 kilovatë çmimi është 10.16 centë dhe ka ndikim të madh në çmim nëse shpenzimi është mbi këtë shumë.
Faktor tjetër ka qenë edhe leximi i faturave. KEK ka përfunduar leximin e faturave për muajin nëntor në fillim të dhjetorit, për shkak të festës së 28 nëntorit dhe vikendit që ka pasuar, leximi në nëntor ka mundur të bëhet vetëm një ditë. Ndërsa, dihet se KEK bën leximin e gjendjes së njehsor në mënyrë mekanike dhe ky lexim zgjatë rreth 4 ditë për të gjithë konsumatorët. Ndërsa, leximi i faturave të dhjetorit për shkak të mbylljes së vitit është dashur të bëhet para mbylljes së vitit për shkak të festës së Vitit të Ri dhe obligimit të korporatës që t’i mbyllë operimet brenda vitit kalendarik. Pra, fillimi i leximit në muajin dhjetor dhe fundit i leximit për këtë muaj ballafaqohen me festa, të rregulluara edhe me ligjin për festa. Kjo ka bërë që periudha e leximit për muajin dhjetor të jetë më e shkurtër se periudha e leximit për muajin janar. Ky është një element që ka bërë që faturat e muajit janar të jenë më të larta se ato të muajit dhjetor edhe në rastet kur ka pasur shpenzim të njëjtë. Faktor tjetër është se shpenzimi për muajin janar ka qenë 20 për qind më i lartë se muaji paraprak, përkatësisht muaji dhjetor.
Prandaj, në një situatë të tillë po flitet vetëm për lexim të rregullt të imponuar nga rrethanat ligjore dhe rritje të shpenzimit nga ana e konsumatorëve.
Prandaj, KEK kërkon që konsumatorët të kenë kujdes në shpenzimin e energjisë elektrike, duke e evituar në maksimum ngrohjen me energji elektrike si një alternativë shumë e shtrenjtë, në mënyrë që të mos vije deri tek situatat e tilla.