Më 22 maj 2025, KEK priti një delegacion të lartë të Bashkimit Evropian nga Brukseli, i udhëhequr nga z. Jiri Plecity, Shef i Njësisë, i shoqëruar nga zyrtarë të lartë të Zyrës së BE-së në Prishtinë, si dhe përfaqësues nga Kompania Kontraktuese dhe Ekipi Mbikëqyrës. Delegacioni vizitoi Termocentralin Kosova B për të marrë një pasqyrë të aktiviteteve në zhvillim dhe të projektit të planifikuar për “Masa për Reduktimin e Pluhurit dhe De-NOx në Termocentralin Kosova B, Njësitë B1 dhe B2.”
Gjatë vizitës, Kryeshefi Ekzekutiv i KEK, z. Gramos Hashani, së bashku me ekipin e menaxhmentit të KEK, informuan delegacionin për përparimin e arritur në sigurimin e kushteve teknike për fillimin e projektit. KEK theksoi angazhimin e tij, i cili ka rezultuar me sukses në përfundimin e projekteve të nevojshme, duke përfshirë projektin e dilatimit të kaldajave, i cili ishte parakusht për fillimin e implementimit të projektit të elektrofiltrave dhe De-NOx, duke hapur kështu rrugën për fillimin e këtij projekti strategjik.
Gjithashtu, më 23 maj 2025, u nënshkrua Amandamenti Nr. 9 i kontratës midis Bashkimit Evropian, i përfaqësuar nga z. Johannes Stenbaek Madsen, Shef i Bashkëpunimit, dhe Kontraktorit, me prezencën e z. Gramos Hashani që përfaqësoi KEK-un si përfitues i projektit.
Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, KEK dhe Kontraktori riafirmuan angazhimin e tyre për të siguruar që projekti të ecë përpara sipas dinamikës së planifikuar. Implementimi i këtij projekti do t’i mundësojë Termocentralit Kosova B të operojë në përputhje të plotë me Direktivat e Emisioneve Industriale të Bashkimit Evropian për pluhurin dhe De-NOx, duke ulur ndotjen e ajrit, veçanërisht në muajt e dimrit, kur është më e dëmshme.