Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës – KEK Sh.A., z. Gramos Hashani, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ka vizituar Komunën e Obiliqit, ku është mirëpritur nga Kryetari i Komunës, z. Halit Thaçi, dhe stafi i tij.
Gjatë kësaj vizite, z. Hashani e ka njoftuar Kryetarin Thaçi lidhur me projektet kryesore të KEK Sh.A., të cilat përfshijnë modernizimin e njësive prodhuese, projektin e elektrofiltrave, i cili pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e mjedisit, si dhe projektin solar me kapacitet prej mbi 100 MW. Për realizimin e suksesshëm të këtyre projekteve strategjike, KEK Sh.A. ka theksuar nevojën për përkrahjen institucionale të Komunës së Obiliqit.
Po ashtu, është theksuar se KEK Sh.A., në kuadër të përgjegjësive sociale të korporatës, është në fazën përfundimtare të procedurave administrative për projekte të dedikuara për komunitetin dhe banorët e Komunës së Obiliqit, si dhe do të angazhohet që buxheti në këtë fushë të rritet edhe më tej.
Nga ana tjetër, Kryetari Thaçi ka shprehur gatishmërinë e tij dhe të zyrtarëve të komunës për të përkrahur të gjitha procedurat administrative të nevojshme për zbatimin e projekteve të KEK-ut. Njëkohësisht, ai ka paraqitur nevojën për përkrahjen e KEK Sh.A. ndaj komunës, veçanërisht në fushën e përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve, përmes projekteve konkrete si dhe aksioneve mbështetëse me makineri dhe resurse të tjera.

Në kuadër të takimit, nga të dyja palët është konfirmuar gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit institucional, ndërsa është arritur dakordim që të formohen ekipe të përbashkëta teknike për identifikimin dhe adresimin e të gjitha çështjeve me interes të ndërsjellë, përfshirë aspektet teknike, mjedisore dhe administrative.
KEK Sh.A. ka njoftuar gjithashtu se, pas përfundimit të punës së ekipeve teknike, do të iniciohet procesi i hartimit të një Memorandumi Mirëkuptimi me Komunën e Obiliqit, i cili do të formalizojë fushat e bashkëpunimit dhe mekanizmat e koordinimit institucional.
KEK Sh.A. mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të hapur dhe korrekt me pushtetin lokal, me synim realizimin e projekteve që kontribuojnë në përmirësimin e mjedisit, zhvillimin e qëndrueshëm dhe mirëqenien e qytetarëve.