Të gjithë parametrat kryesor të matjes së rezultateve tregojnë se KEK-u është kompani e stabilizuar dhe po ecën fuqishëm drejt konsolidimit dhe fuqizimit të mëtutjeshëm përfundimtar.
Korporata ka arritur të rrisë furnizimin dhe sot kategoria A ka furnizim me energji elektrike mbi 99.5 për qind të kohës, kategoria B deri 97 për qind dhe kategoria C mbi 94 për qind. Kjo është një rritje nga 94 për qind për kategorinë A, 84 për qind për kategorinë B dhe 72 për qind për kategorinë C sa ishin furnizuar në vitin 2007.
KEK-u brenda katër viteve të fundit thuajse ka dyfishuar inkasimin. Inkurajon fakti se rezultatet nuk janë pozitive vetëm gjatë një viti, por nga viti në vit rritja ka qenë dyshifrore në përqindje në krahasim me vitin paraprak. Derisa ne 2007 inkasimi ishte 114 milionë euro, në 2010 ishte 178 milionë, ndërsa këtë vit pritet të jetë mbi 200 milionë. Në tetë muajt e këtij viti, janë inkasuar 131.7 milionë euro, afro 15 për qind më shumë se në periudhën e njëjtë të 2010.
Humbjet e energjisë elektrike janë zvogëluar nga 47 për qind sa ishin në vitin 2007 në 37 për qind në vitin 2011. KEK po punon shumë që këto humbje të zvogëlohen edhe më tepër dhe ato komerciale të shkojnë drejt zeros.
Subvencionet nga Qeveria janë përgjysmuar brenda kësaj periudhe. Sido që të jetë, çka jepet nga Qeveria shkon direkt në të mirë të qytetarëve e jo KEK-ut, pasi qe vlera e subvencionimit zbritet në tërësi nga tarifat që ata paguajnë.
KEK ka stabilizuar përfundimisht furnizimin me qymyr dhe sot prodhohen afro 8 milionë tonë qymyr. Rezervat në deponitë e TC “Kosova A” dhe “Kosova B” nuk bien asnjëherë nën 500 mijë tonë, të mjaftueshme për tri javë furnizim.
Rritje ka shënuar edhe prodhimi i energjisë elektrike. Me kapacitete të njëjta në vitin 2010 janë prodhuar 5.2 milionë megavatë/orë energji elektrike nga 4.2 milionë megavatë/orë sa ishin prodhuar në vitin 2007, afro 25 për qind. Kjo rritje është arritur falë stabilizimit të blloqeve si dhe rritjes së jashtëzakonshme të përkushtimit në punë.
Duke u bazuar në këto fakte, KEK sh.a. lut të gjithë të palët e interesuara që para se të dalin me konstatime të pa baza dhe arbitrare, të konsultohen paraprakisht me korporatën.