Për hirë të  sqarimit të opinionit rreth prononcimeve të gabuara të palëve të interesit rreth furnizimit të konsumatorëve me energji elektrike, edhe njëherë duhet të theksohet  se në bazë të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 04/36 dhe 03/038, janë finalizuar dy procese te ndryshimeve strukturore qe kane afektuar KEK-un:
  1. Ndarja dhe shthurja ligjore e veprimtarisë së shpërndarjes së energjisë elektrike dhe furnizimit publik të KEK-ut nga pjesa e veprimtarive tjera, me ç’rast është krijuar një kompani e re (KKDFE/KEDS), dhe
  2. Privatizimi përmes shitjes së aksioneve të KKDFE/KEDS një  pronari tjetër (konsorciumi Calik-Limak).
Si pasojë, nga data 08 maj 2013, pronari i ri ka marrë pronësinë dhe kontrollin mbi KKDFE/KEDS dhe, rrjedhimisht, mbi të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me sistemin e shpërndarjes dhe furnizimit publik me energji elektrike në territorin e Republikës së Kosovës. Pra, nga data 08 maj 2013, KEK-u është i licencuar vetëm si prodhues i energjisë elektrike. Për sa i përket operimit aktual të KEK-ut, askush nuk mund ta mohojë faktin se falë investimeve të duhura, menaxhimit efikas  dhe falë angazhimit të pashoq të punëtorëve në tërë hallkat e prodhimit, përkundër sfidave të ndërlidhura me jetëgjatësinë e pajisjeve, prodhimi i energjisë elektrike dhe performanca e njësive dhe stabilimenteve, tashmë është dyfishuar. Në këtë rast, nga viti në vit, kemi pasur rritje dyshifrore të përqindjes së prodhimit. Në vitin 2013 në gjeneratorët e dy termocentraleve janë prodhuar 6.25 milionë megavatë/orë energji elektrike, apo rreth 600 mijë megavatë/orë më tepër se në vitin 1988 kur ishte arritur prodhimi më i madh para luftës. Prodhimi energjisë kur krahasohet viti 2013 me vitin 2007 ka rritje prej gati 32 %, ndërsa nëse krahasojmë prodhimin e 2013 me vitin 2002, ai është 100 % me i madh. Për me tepër, gjate vitit 2013 numri i ndalesave si dhe koha e mbajtjes jashtë punës  të njësive te Kosovës A dhe B është përgjysmuar ne krahasim me vitet e kaluara. Vitin që lamë pas,  ka pasur rritje  edhe në prodhimin e qymyrit. Në vitin 2013 janë prodhuar 8.4 milion ton qymyr apo 4.5 % më tepër se në vitin 2012. Përndryshe, trendi i rritjes ka vazhduar edhe këtë vit. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2014, disponueshmeria e prodhimit në TCB ishte 100% ndërsa ajo në TCA ishte mbi 120% në krahasim me planin e prodhimit. Për më tepër, në këtë moment janë të gatshme për shfrytëzim rreth 13 milion ton qymyr, përderisa në deponitë e termocentraleve janë te depozituara rreth 400,000 tonelata qymyr. KEK, në vazhdimësi është duke ndërmarrë të gjitha veprimet për prodhim të qëndrueshëm sipas bilancit energjetik, që t’i mundësojë bartësit të licencës të ofrojë furnizim stabil.