KEK sh.a. sqaron se akuzat e kompanisë “Besa Security” të lansuara në mediat e vendit ditëve të fundit në lidhje me tenderin për sigurim fizik të KEK-ut janë ta pabaza dhe nuk qëndrojnë. Aty akuzohet KEK-u pa të drejtë. Korporata sqaron për opinionin se ka vepruar në përputhje të plotë me Ligjin e Prokurimit Publik (LPP) dhe ligjeve tjera në fuqi, sikurse ka vepruar në bazë të udhëzimeve të marra nga institucionet relevante. Situata është mjaft e qartë në këtë aspekt. Komisioni vlerësues i KEK e kishte shpallur fitues konzorciumin Security Code/WDG. Ndërsa, Besa Security si konkurrent në këtë tender ishte ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Ky organ i kishte dhënë të drejtë komisionit vlerësues të KEK-ut, duke e hedhur poshtë ankesën e kësaj kompanie. Ndërsa, OSHP pos vendimit edhe e ka urdhëruar KEK-un që të procedojë tutje në bazë të vendimit të saj. E korporata, si çdo subjekt që i nënshtrohet LPP-së është e obliguar që t’i respektojë dhe zbatojë të gjitha vendimet e këtij organi e që do ta bëjë edhe në këtë rast. Prandaj, KEK kërkon nga mediat që të marrin mendimin e OSHP-së si subjekti më relevant në këtë proces dhe të mos bazohen në konstatimet e njëanshme të kompanisë Besa Security e cila ka interesa të ngushta në lidhje me këtë tender.