KEK-u shpreh gatishmërinë që të intervenojë në secilin rast të prishjeve në rrjet në pjesën veriore të Kosovës, në çdo rast që paraqitet e domosdoshme. Korporata kërkon vetëm krijimin e ambientit të sigurt për të operuar.
Gjithashtu, KEK ka të gatshëm Planin e Veprimit për të rregulluar edhe konsumatorët në këtë pjesë të vendit, njëjtë si të gjithë konsumatorët tjerë. Korporata do të fillojë implementimin e planit me t’u krijuar rrethanat e favorshme për veprim.
KEK është i vetëdijshëm se dy entitete të pa licencuara, që nuk janë kompani të regjistruara në Kosovë, përkatësisht ‘Elektrokosmet’ dhe ‘Elektroprivreda Serbije (EPS)’vazhdojnë të operojnë ilegalisht në pjesën veriore të Lumit Ibër. Provat e mbledhura nga KEK-u tregojnë qartë se Elektrokosmet dhe EPS, me mbështetje nga Elektromreža Serbije (EMS), së bashku janë duke kryer aktivitetet e një operatori të sistemit të shpërndarjes së energjisë dhe të furnizuesit të energjisë në këtë pjesë pa ndonjë bazë apo autorizim ligjor.
Pasi KEK-u, sipas kornizës ligjore dhe rregullative të vendosur në vitin 2004, është i vetmi operator i licencuar i sistemit të shpërndarjes dhe furnizues publik për të gjithë territorin e Kosovës, ka nisur aktivitetet ligjore ndaj kompanive serbe Elektroprivreda Serbije (EPS) dhe Elektrokosmet Priština (“Elektrokosmet) për ushtrim të aktiviteteve të paligjshme në pjesën veriore të Kosovës. Padia është ngritur në fillim të këtij viti në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë kundër Republikës së Serbisë për mosplotësim të obligimeve të saj ligjore sipas Traktatit për Komunitetin e Energjisë.
Prandaj, konsumatorët përtej lumit Ibër duhet të shpërfillin faturat e pranuara nga këto entitete ilegale dhe çfarëdo kërkese për pagesë të pranuar në të ardhmen nga Elektrokosmet/EPS.
Përderisa të gjithë mbështesin nevojën që konsumatorët të paguajnë për energjinë elektrike me të cilën furnizohen, e gjithë energjia elektrike e furnizuar në veri të lumit Ibër është energji e KEK-ut. Prandaj , e vetmja kompani ndaj të cilës konsumatorët kanë obligim për t’ia paguar shërbimet është KEK-u -ose agjentët e tij të autorizuar, pasi konsumatorët të jenë regjistruar.
Nëse ndonjë konsumator në veri të lumit Ibër është shkyçur për mos-pagesë të energjisë elektrike nga operatorët e lartpërmendur të palicencuar, ata duhet të kontaktojë menjëherëautoritetet e zbatimit të ligjit për të raportuar këtë akt të paligjshëm dhe të aranzhojnë rikyçjen.