Komiteti Ndërkombëtar i Trade Leaders Club e ka shpërblyer të hënën, me 6.06.2011 KEK-un me çmimin e artë për prestigj komercial. Përzgjedhja e KEK-ut për trofeun e këtij viti është bërë në bashkëpunim me Trade Leaders Club. Klubi ka 7000 biznesmenë si anëtarë nga 112 shtete të mbarë botës.
Ky shpërblim është dhënë duke u bazuar në vlerësimet e këtij komiteti për kualitetin e shërbimeve të korporatës dhe për lidership. Çmimi i është dorëzuar të hënën në Madrid të Spanjës, Drejtorit Menaxhues të KEK-ut, z. Arben Gjukaj.
“Ky çmim është inkurajues për korporatën tonë dhe sfidues që të krijojmë brenda korporatës tonë një lidership edhe më të fuqishëm, sikurse avancim të mëtutjeshëm komercial . Ju falënderoj për çmimin dhe vlerësimin. Ne si kompani e shtetit më të ri jemi të hapur dhe mirëpresim bashkëpunimin me të gjitha kompanitë botërore”, tha Gjukaj.
Çmimi Ndërkombëtar për Prestigj Komercial është themeluar para 40 vjetësh. Qëllimi i krijimit të tij është mundësia e krijimit të kontakteve në mes të kompanive nga mbarë bota.
KEK viteve të fundit ka qenë kompania më rritjen më të madhe në Kosovë. E ballafaquar me shumë sfida, rritja ka qenë konstante në të gjithë parametrat, si në aspektin e prodhimit të qymyrit dhe energjisë, ashtu edhe të furnizimit dhe të inkasimit të energjisë elektrike. Kjo rritje e ka shndërruar korporatën nga një kompani që punonte me humbje që silleshin në rreth 40 milionë euro në vit, në një kompani që operon me fitim në baza vjetore.