Prishtinë, 28.08.2025 – Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) sh.a. ka organizuar sot një ceremoni solemne për pranimin e 180 punëtorëve të rinj, që do t’i bashkohen korporatës në sektorë të ndryshëm. Ky zhvillim përbën një moment të rëndësishëm për institucionin, duke reflektuar qartë përkushtimin ndaj forcimit të kapaciteteve njerëzore dhe sigurimit të një të ardhmeje energjetike të qëndrueshme.
Në fjalën e tij, Kryeshefi Ekzekutiv i KEK-ut, z. Gramos Hashani, theksoi:
“Ky moment është dëshmi se KEK-u nuk po ndalet vetëm në investimet kapitale qindra milionëshe, por po investon edhe në fuqinë më të çmuar – në njerëzit. Përkrah rehabilitimit dhe modernizimit të njësisë A3 në vlerë prej rreth 137 milionë eurosh, turbinave të njësive B1 dhe B2 me rreth 56 milionë euro, elektrofiltrave mbi 100 milionë euro, si dhe projektit solar prej 100 MW – investime këto që janë garanci për jetëgjatësinë e njësive prodhuese të TC-A dhe TC-B, për përmbushjen e strategjisë kombëtare të energjisë dhe për tranzicionin tonë drejt burimeve të ripërtëritshme.
Prandaj, po aq i rëndësishëm është fakti se sot, përmes këtij punësimi, KEK-u po rifreskon fuqishëm stafin. Vetëm pak vite më parë, mosha mesatare e punëtorëve në korporatë ishte mbi 56 vjet. Sot, me hyrjen tuaj, ne po e ulim ndjeshëm këtë mesatare, duke i dhënë KEK-ut energjinë rinore, gjallërinë dhe dijen e re që kërkohet për ta përballuar operimin e njësive ekzistuese dhe tranzicionin energjetik të vendit. Ju, punëtorë të rinj, jeni garancia që çdo shtëpi në Kosovë do të ketë dritë, ngrohtësi dhe siguri. Ju jeni forca e re që do ta mbajë gjallë KEK-un për dekadat që vijnë dhe që do ta shkruajë kapitullin e ri të historisë energjetike të vendit tonë.”
Ndërsa Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve, z. Valdrin Krasniqi, u shpreh:

“Është kënaqësi të jemi sot në një ditë kaq të veçantë dhe me peshë për Korporatën Energjetike të Kosovës, me rastin e pranimit të një numri kaq të madh të punëtorëve. Si Bord, ndihemi krenarë që kemi mundësuar këtë hap strategjik – punësimin e 180 punëtorëve të rinj teknikë, që përbëjnë një burim të ri fuqie, dijeje dhe energjie për korporatën dhe për tërë vendin.
Ky vendim nuk është vetëm një proces punësimi. Ai është një akt besimi – besimi tek rinia e Kosovës, tek profesionalizmi dhe tek aftësia juaj për ta bartur mbi supe përgjegjësinë e madhe që ka KEK-u: garantimin e sigurisë energjetike për çdo qytetar të vendit tonë. Korporata Energjetike e Kosovës ka qenë gjithmonë shtylla kryesore e sistemit energjetik. Ju, punëtorë të rinj, jeni garancia që kjo shtyllë jo vetëm që do të mbetet e fortë, por do të forcohet edhe më shumë, duke e bërë KEK-un të gatshëm për sfidat e së nesërmes – qoftë ato të modernizimit, të tranzicionit energjetik, por mbi të gjitha edhe të sigurisë kombëtare. Ju inkurajoj që çdo ditë pune ta shihni si mision fisnik dhe përgjegjësi të lartë. Në emër të Bordit, ju uroj mirëseardhje, sukses dhe rrugëtim të mbarë në shërbim të KEK-ut dhe të vendit tonë.”
Në emër të Qeverisë së Kosovës, Zëvendësministri i Ekonomisë, z. Getoar Mjeku, tha:

“Gjithë së bashku keni bërë një punë të mirë sot, që po i uroni mirëseardhjen 180 punëtorëve të rinj. Nuk ka lajm më të mirë sesa përtëritja e fuqisë sonë punëtore. Nuk ka lajm më të mirë sesa fakti që KEK-u jo vetëm që punëson mbi 3.000 punonjës, por është shtyllë e zhvillimit ekonomik të vendit, është pasuri natyrore sepse ka minierën, është organizatë punëtore sepse ju kemi juve, por është edhe fuqi prodhuese e zhvilluese për vendin sepse furnizon çdo qytetar dhe gjithë industrinë e Republikës së Kosovës me energji elektrike dhe mundësi të zhvillimit.
Tash, ata që do të punojnë në TC-B do të shohin një termocentral të modernizuar, ata që do të shkojnë në TC-A do të shohin njësinë A3 të rehabilituar nga fillimi – dhe kjo është falë një strategjie të qartë të Republikës së Kosovës për sektorin e energjisë, si dhe falë punës që e bën korporata sot e tutje, së bashku me ju, për ndërtimin dhe bartjen e zhvillimeve të kapaciteteve energjetike. Disa nga ju do të keni mundësi të punoni edhe në një lami të re, sepse KEK-u është duke ndërtuar një park solar aty ku ishte hedhur hiri. Urime, ju priftë e mbara.”
Pranimi i punëtorëve të rinj përfaqëson një nga investimet më të qëndrueshme të KEK-ut në burimet njerëzore, duke garantuar se institucionet energjetike të Kosovës do të mbeten të fuqishme, funksionale dhe të orientuara drejt së ardhmes.