KEK sh.a. njofton se është duke bëre të pamundurën që të ketë furnizim sa më të mirë me energji elektrike.
Moti i ftohtë që nuk mbahet mend gjatë 3 dekadave të fundit ka vështirësuar prodhimin e energjisë elektrike në blloqe, sikurse kërkesa është në maksimumin e saj. Janë pesë blloqe në sistem, por disa stabilimente kanë vështirësi të funksionimit si pasojë e acarit. Për këtë arsye dy njësi, përkatësisht B1 dhe A5 janë duke punuar aktualisht me kapacitete të përgjysmuara.
Në anën tjetër, opsioni importit është i kufizuar pasi ka pengesa nga Serbia, gjegjësisht kompania EMS, në linjat e transmisionit që nuk janë përgjegjësi e KEK-ut. Përpos pengesave nga Serbia, ka mungesa të theksuara të energjisë elektrike edhe në rajon që është duke u ballafaquar me situatë të ngjashme atmosferike dhe atë të furnizimit me energji. Pavarësisht kësaj, KEK ka arritur të sigurojë import shtesë, por është e pamundur të mbulohet e tërë kërkesa që ka arritur në 1300 megavatë/orë. Pra, reduktime ka aktualisht për të gjitha kategoritë.
Në një situatë të tillë KEK-u ka shpallur gjendja e jashtëzakonshme dhe të gjithë punëtorët e korporatës në të gjitha divizionet janë në gatishmëri gjatë 24 orëve dhe po japin maksimumin e tyre aty ku është e nevojshme që gjendja të jetë sa më stabile.
Është duke u intervenuar në çdo problem që po paraqitet në kohën më të shkurtër të mundshme, por kushtet atmosferike dhe rrethanat tjera të përmendura më lartë po e vështirësojnë gjendjen e furnizimit.
Përkundër këtyre rrethanave, falë angazhimit maksimal te punëtorëve, KEK-u zotohet se situata me furnizim te energjisë do të mbahet stabile. Sido që të jetë, për ta tejkaluar këtë gjendje sa më shpejtë dhe sa më lehtë, KEK apelon për kursim maksimal të energjisë elektrike sipas mundësive. Korporata insiston fuqishëm në kërkesën e saj që aty ku është e mundur të përdoren për ngrohje lendet djegëse dhe jo energjia elektrike. Përdorimi i formave alternative të ngrohjes do t’ia lehtësonte shumë barrën KEK-ut që ta kryente misionin e vetë në mënyrën më të mirë të mundshme, përkundër rrethanave ekstreme atmosferike që po mbizotërojnë aktualisht.
Faleminderit në mirëkuptim.