KEK sh.a., ashtu siç ju ka njoftuar edhe më herët, i ka venë vetes për objektivë që shqyrtimi i të gjitha ankesave të pranuara të kryhet më datë 08.03.2013.Si rrjedhojë, presim që pas datës 08.03.2013 të dalim me një raport zyrtar përfundimtar rreth ankesave të konsumatorëve. Përndryshe, në bazë të hetimeve dhe shqyrtimeve të deritanishme me pjesëmarrje të gjerë ndërinstitucionale përfundimet e nxjerra rezultojnë se të gjitha veprimet e KEK-ut të ndërmarra gjatë muajit janar për leximin dhe faturimin e energjisë elektrike, nuk dallojnë nga muajt paraprak dhe janë në përputhje me legjislacionin sekondar të aprovuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.
Bordi i Drejtorëve të KEK-ut dhe Menaxhmenti i Lartë janë të vetëdijshëm për situatën e krijuar si pasojë e ndjeshmërisë së lartë publike të shprehur në lidhje me faturat e lëshuara për konsumin e energjisë në janar. KEK-u e vlerëson mendimin dhe shqetësimet e konsumatorëve të tij dhe kupton rëndësinë e besimit të ndërsjellët që duhet të ekzistojë mes konsumatorëve dhe ofruesve publik të shërbimeve.
Në këto rrethana, duke marr parasysh faktin se shumica e ankesave të dorëzuara nga konsumatorët janë në Distriktin e Prishtinës, ka ndërmarr një mase të përkohshme ndaj disa zyrtarëve kyç në Distriktin e Prishtinës. Këto masa janë më se normale dhe ndërmerren në mënyre që të eliminohet çfarëdo lloj dyshimi rreth mundësisë se interferimit në procesin e vlerësimit. Kjo masë do të vlejë deri sa KEK dhe organet e tjera relevante të konkludojnë vlerësimin e tyre të faturimit për konsumin e janarit.
Përndryshe, në aspektin e përgjithshëm, si pjesë e strategjisë për përcaktimin individual të përgjegjësisë së secilit punëtor, pavarësisht pozitës që mban, KEK ka vendosur që nga viti 2010 sistemin individual të vlerësimit të performancës në baza mujore. Ky vendim i përkrahur edhe nga Sindikata dhe punëtoret është aprovuar nga të gjitha instancat vendimmarrëse te Korporatës dhe është kodifikuar përmes Kodit te Distrikteve, Kodit të Etikës, Manualit të Punës dhe është në përputhshmëri të plotë me Ligjin e Punës. Konform këtyre rregulloreve, secili punëtor ka autorizime të plota dhe mban përgjegjësi për energjinë, daljet dhe konsumatorët me te cilët është i ngarkuar dhe ka një numër të caqeve të mëtejshme të cilat duhet t’i arrijë çdo muaj. Në periudhat kur ato caqe tejkalohen punëtori stimulohet me bonus ndërsa në periudhat kur ato nuk arrihen punëtori i nënshtrohet masave disiplinore. Në këtë vijë, disa nga caqet ( psh. numri i korrigjimeve) kanë të bëjnë direkt me trajtimin e konsumatorëve.
Në këtë vijë, edhe vlerësimi i performancës është një proces që është duke u zhvilluar që nga viti 2010 dhe ka sjell rezultate të konsiderueshme në perfomancën e Koropratës në përgjithësi.