Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.) njofton opinionin publik se, duke filluar nga data. 01.08.2025, ora 00:00, hynë në funksion Departamenti për Sigurinë Fizike të Objekteve, i cili nga tani e tutje do të operojë brenda kuadrit të vetë KEK Sh.A.
Kjo është një vendimmarrje strategjike e Bordit dhe Menaxhmentit të KEK, me qëllim të rritjes së kontrollit të brendshëm, garantimit të sigurisë së aseteve, dhe adresimit të sfidave të përsëritura të sigurisë fizike që janë paraqitur ndër vite.
Për më shumë se dy dekada, shërbimet e sigurimit fizik në KEK Sh.A. janë ofruar përmes operatorëve ekonomikë privatë. Gjatë kësaj periudhe, ka pasur incidente dhe parregullësi që kanë cenuar sigurinë e aseteve kritike dhe kanë shkaktuar dëme materiale e rrezikim të jetës njerëzore.
Duke pasur parasysh rëndësinë jetike të KEK-ut si infrastrukturë kritike kombëtare, Bordi dhe Menaxhmenti i KEK kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për rikthimin e këtij shërbimi nën kontroll të plotë institucional.
Nga nesër, punonjësit e sigurimit fizik janë zyrtarisht pjesë e stafit të KEK Sh.A., dhe do të gëzojnë kushte më të mira pune, sigurim shëndetësor, shujta, mbështetje institucionale dhe trajtim të dinjitetshëm.
Me këtë vendim, KEK konfirmon përkushtimin e saj për:
• Siguri të lartë operacionale në të gjitha objektet strategjike,
• Ndalimin e ndërhyrjeve të jashtme të paautorizuara, sidomos në zonat e minierës dhe termocentraleve,
• Rritje të kapaciteteve të brendshme për menaxhimin e rrezikut dhe emergjencave.

Ky është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit dhe përgjegjësisë institucionale, që reflekton angazhimin e KEK Sh.A. për të garantuar siguri të qëndrueshme, në funksion të mbarëvajtjes së operacioneve energjetike dhe interesit të qytetarëve të Republikës së Kosovës.