KEK sh.a. është thellësisht i indinjuar me mënyrën e paraqitjes së korporatës në anketat e UNDP-së. Sipas këtij programi KEK del gjithnjë në krye të perceptimeve për korrupsion. Realiteti i perceptimeve për korrupsion është komplet i kundërt me atë që e konstaton UNDP. Sipas anketimeve të bëra nga operatori i pavarur, rreth perceptimeve për korrupsion, të bëra me 2600 respondentë, të ndarë në dy faza në periudha të ndryshme kohore, ku janë përfshirë qytetarë anekënd Kosovës, bazuar në mostra profesionale, KEK sh.a. nuk gjendet as në mesin e institucioneve të para për korrupsion, edhe pse pyetja këtu ka qenë direkte. Në të gjitha raportet, qytetarët kanë ndryshuar mendim për të mirë ndaj KEK-ut, pos në raportet e UNDP-së. Prandaj, KEK sh.a. nuk ka tjetër, pos të hedhë edhe dyshimin e daljes në terren të kontraktorëve të këtij programi. KEK sh.a. ka pasur disa takime me përfaqësuesit e UNDP-së, por kërkesat kanë hasur në vesh të shurdhër. Konstatimet e UNDP-së janë ato që e kanë dëmtuar rëndë imazhin e korporatës, sepse mbi 60 për qind e të anketuarve mendojnë se në KEK ka korrupsion sepse ashtu mendojnë të gjithë. E një nga faktorët esencial, me pyetje joprofesionale dhe të mangëta, që e ka ndërtuar këtë percepcion është pikërisht UNDP-ja. Ndërsa, në kërkesën e korporatës që të paraqiten edhe pyetje faktike rreth korrupsionit, përqindja e tyre është rreth 1 për qind. KEK kishte kërkuar nga UNDP-ja që të futet edhe kjo pyetje, e cila do të nxirrte gjendjen reale të kërkesave për korrupsion direkt institucion-qytetar, por ka hasur në vesh të shurdhër. Gjithashtu, KEK kishte kërkuar që institucionet e ngjashme, si p.sh. komunat e Kosovës të nxirren bashkërisht, apo të shënohej komuna juaj dhe të nxirrej përgjigje e përbashkët, sepse KEK është i shtrirë në tërë territorin e Kosovës, ndërsa p.sh. një qytetar i Prizrenit nuk mund të ketë percepcion për korrupsion në komunën e Istogut, por UNDP nuk e ka bërë një gjë të tillë. Gjithashtu, jo të gjithë qytetarët kanë ballafaqim direkt me gjykata apo janë të përfshirë në procesion e privatizimit. Prandaj, në një mostër profesionale, do të duhej të merrej si përgjigje e totalit, vetëm përgjigja e atyre që kanë pasur punë direkte me këto institucione dhe procese, sepse dihet se energjinë elektrike e shfrytëzojnë të gjithë qytetarët. Gjithashtu dihet se një individ krijon percepcione negative-pozitive vetëm për sektorët me të cilët ka ballafaqim direkt. E në institucionet e përfshira, KEK është e vetmja kompani me shërbimet e të cilës kanë të bëjnë të gjithë qytetarët e vendit. Si rezultat i gjithë këtyre, pra mungesës së mostrave gjithpërfshirëse, nxjerrjes së totalit të perceptimeve vetëm për ata që kanë pasur direkt punë më atë institucion-shërbim, pyetjeve jodirekte për korrupsion, por vetëm rreth perceptimeve, KEK sh.a. kërkon nga UNDP që të jetë më profesionale, më gjithpërfshirëse dhe ta paraqes realitetin.