KEK ka shkyçur të enjten konsumatorin problematik, Agush Latifin me shifër 75535 në Dobratin të Podujevës. Aksioni është zhvilluar me ndihmën e njësisë speciale të Policisë së Kosovës pasi familjarët e tij kishin bërë rezistencë gjatë shkyçjes duke penguar punëtorët në kryerjen e detyrës zyrtare. Policia me këtë rast ka arrestuar dy persona të familjes së konsumatorit.
KEK kishte tentuar ta shkyçte edhe disa ditë më herët këtë konsumator, por ekipi e KEK-ut kishte hasur në pengesa, madje edhe në kërcënime të rënda, përderisa një anëtar i familjes gjatë gjithë kohës e kishte pasur edhe një armë të ftohtë në brez.
Shkyçja e sotme me asistimin e Policisë së Kosovës ka vazhduar edhe tek konsumatorët tjerë problematikë në Qendër të Podujevës dhe rrethinë. Korporata është e vendosur të shkyçë çdo borxhli që heziton të paguajë faturat e tyre. KEK apelon tek të gjithë konsumatorët që të mos i pengojnë punëtorët në kryerje të detyrës së tyre zyrtare, por t’i kryejnë obligimet. Ndryshe, shkyçjes nuk do të mund t’i ikin në asnjë mënyrë. Pengimi në detyrë zyrtare dhe kërcënimi janë vepra penale, të cilat janë të sanksionueshme dhe ata që kryejnë vepra të tilla po arrestohen.
Korporata ka për qëllim krijimin e një ambienti të shëndoshë dhe ndërtimin e relacioneve sa më të mira më të gjithë konsumatorët. Kryerja e dyanshme e obligimeve dhe bashkëpunimi KEK-konsumator është faktor kyç në këtë aspekt.