KEK sh.a. dëshiron të informojë publikun se ka pranuar nga Zyra e Auditorit te Përgjithshëm  të Republikës së Kosovës (ZAP) raportin lidhur me auditimin e të hyrave ne KEK gjatë vitit 2011. Në ketë raport, i bërë publik nga ZAP, konstatimi kryesor është se nuk janë gjetur shkelje apo gabime materiale në zbatimin e rregulloreve dhe procedurave të sistemeve të menaxhimit dhe të  kontrollit. Me tej, aty thuhet, se përkundër vështirësive të shkaktuara  nga dobësitë  e  trashëguara nga mënyra e menaxhimit nga periudhat paraprake, menaxhmenti KEK-ut është i përkushtuar për implementimin e rekomandimeve të dhëna nga ZAP pikë për pikë. Si rrjedhojë, niveli i menaxhimit, si i atij financiar ashtu edhe operativ ka shënuar një ngritje evidente. Në këtë raport më tutje konstatohet se kjo ka rezultuar nga trendi i vazhdueshëm pozitiv i ngritjes së të hyrave, të inkasimit dhe të zvogëlimit të humbjeve. KEK-u e ka të dizajnuar një sistem funksional të kontrollit të brendshëm dhe nëse ndonjë gabim ka ndodhur  dhe nuk është identifikuar ne jemi të bindur që ai gabim nuk është material, fakt ky i vërtetuar edhe nga raporti i Auditorit të Përgjithshëm. Gjithsesi, këto sisteme mund të përmirësohen më tej dhe KEK-u do të zbatojë të gjitha rekomandimet e arsyeshme në ketë drejtim. KEK-u dëshiron të përkujtojë edhe një herë opinionit se përveç këtij auditimi specifik të kryer nga ZAP, pasqyrat financiare vjetore të KEK-ut, konform ligjit, janë audituar edhe nga një Kompani Ndërkombëtare e pavarur e Auditimit. Opinioni i dhënë në ketë raport ka qenë i pakualifikuar ( pa vërejtje) mbi këto pasqyra financiare, duke cekur që " ... pasqyrat financiare (të KEK-ut) paraqesin saktë, në të gjitha aspektet materiale, pozicionin financiar të Kompanisë deri më 31 dhjetor 2011, si dhe performancën e tij financiare dhe rrjedhën e parasë për vitin që përfundon me ketë datë, në përputhshmëri me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar". KEK-u falënderon dhe mirëpret rekomandimet e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës duke qenë gjithnjë i përkushtuar për implementimin e tyre dhe gjithnjë i gatshëm të bashkëpunojë në mënyrën sa më transparente me të gjitha institucionet relevante  me qëllim të forcimit të mëtutjeshëm të sistemeve të menaxhimit dhe kontrollit.