Është e drejtë e çdo qytetari që pakënaqësitë e tyre ti shprehin edhe në formë proteste, mirëpo ne mendojmë se zgjidhja më e mirë është që secila brengë e tyre të zgjidhet bashkërisht, gjithmonë duke respektuar ligjet në fuqi.
Në këtë drejtim, për hirë të së vërtetës jemi të obliguar që për opinionin e gjerë publik të rikujtojmë faktin se; KEK-u, është biznes i rregulluar me tarifa të përcaktuara nga Zyra Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).
Të gjitha të hyrat, kërkesat për shpenzime si dhe Investimet e Korporatës duhet të aprovohen nga ZRRE-ja, Prandaj, çdo investim hynë në rritjen e tarifave që me automatizëm nënkupton rritjen e çmimit të energjisë. Për këtë arsye edhe vetë investimet e KEK-ut në shumë raste nuk e marrin aprovimin nga ZRRE-ja.
KEK-u, në bashkëpunim me Komunën e Obiliqit per vitin 2016, kishte identifikuar disa projekte infrastrukturore ekskluzivisht për ndihmë të komunitetit, të cilat kapin shumën prej 1 milion euro, qe më pas janë dërguar për aprovim në ZRRE, mirëpo të njëjtat nuk kanë kaluar.
Përndryshe, si edhe është dëshmuar tashmë, mbrojtja e mjedisit është një nga objektivat kryesore të KEK-ut. Pas përmbylljes së ciklit madhorë të investimeve mjedisore, përkundër faktit se KEK operon me stabilimente të teknologjisë se trashëguar e cila nuk ishte dizajnuar të jetë miqësore ndaj mjedisit, ndotja nga impiantet e korporatës është zvogëluar në nivelet më të ultë që nga fillimi i operimeve të tyre.
Prandaj, përkundër sfidave të prodhimit, objektivë kryesore e KEK-ut nga viti 2009 ka qenë dhe mbetet mbrojtja e mjedisit në hapësirat ku operon. Viti paraprak ka qenë viti i përfundimit të suksesshëm të ciklit të investimeve mjedisore e që kapin shumën prej mbi 50 milion Euro, kryesisht nga mjetet vetanake. Në vazhdim janë disa nga projektet e realizuara.
Transporti hidraulik i hirit TC-A
Për 50 vite, bartja e hirit të thatë nga TCA përmes shiritave ishte shkaktar i 80 % të ndotjes për zonat përreth.
Në vitin 2013 është ndërtuar sistemi hidraulik i bartjes së hirit nga TC-A
Me këtë rast është ndërprerë përfundimisht hedhja e hirit të freskët në ish-deponinë e hirit të Kosovës A.
Pastrimi i zonës së ish Gasifikimit
Impiant i mbyllur ne 1988 – ndotje e trashëguar dhe zonë ku KEK asnjëherë nuk kishte operuar. Jane eliminuar mbi 20 mijë tonelata të materialeve të rrëzikshme-duke i trajtuar dhe duke i eksportuar për trajtim në BE.
Elektrofiltrat ne TCA
Pas 50 vjetëve operimi, në njesitë aktive të TCA-së janë vendosur elektro-filtrat e rinjë dhe si rezultat kemi zvoglim madhor të shkarkimeve të grimcave të pluhurit në ajrë. Mesatarja vjetore e këtyre shkarkimeve tani është rreth kriterit të lejuar me ligj (50 mg/Nm3)
Ish deponia e hirit TCA
Në ish deponin e vjetër te hirit të Kosovës A, qe nuk përdorët tash e disa vite dhe qe ka një hapësirë prej rreth 250 hektarësh është akumuluar hiri që nga fillimi i viteve të 60-ta.Përkundër faktit se kjo ish-deponi e hirit është e trashëguar, KEK-u në mesin e projekteve për përmirësimin e mjedisit është ne finalizim të trajtimit edhe të kësaj ish-deponie.
Projekti i dizajnimit dhe mbulimit të kësaj ish-deponie ka filluar para 6 viteve në kuadër të një projekt i përbashkët i Bankës Botërore, Qeverisë Holandeze dhe KEK-ut, me ç'rast deri më tani është mbuluar 85% e sipërfaqes. Në sipërfaqen e mbetur prej 15% është bërë dizajnimi gjatë sezonit dimërorë dhe tani është filluar me fazën e mbulimit me djerrinë (dhe) e cila parashihet të përfundojë gjatë 3 muajve në vazhdim.
Përndryshe, si rezultat i punës së bërë gjer më tani , që vërtetohet edhe nga matjet e realizuara në baza të rregullta, niveli i pluhurit përreth ish deponisë se hirit, është zvogëluar dukshëm (shih diagramin me poshtë) dhe qe është brenda kufijve te lejuar me ligj.
Si rezultat përfundimtar, një kodër e hirit e cila për 50 vite ishte burim i ndotjes së vazhdueshme e cila prekte një zonë të gjerë nga Obiliqi deri në Prishtine, është duke u rikultivuar dhe po shëndërrohet në një zonë të gjelbër.
Vlen të theksohet se me projektin e lartcekur janë trajtuar edhe deponitë e vjetra në Lismir (palosja e jashtme - jugu) dhe Bardh të Madh (palosja e jashtme - kalaja).
Paralelisht me këtë KEK ka nisur edhe mbjelljen e fidaneve në deponitë e djerrinave dhe hirit me ç’rast kemi arritur numrin prej 150 mijë fidanëve të mbjellura në ato zona.
Duhet theksuar se KEK-u është e para dhe e vetmja kompani në vend që i ri-kultivon tokat e eksploatuara duke i kthyer ato në gjendjen e mëparshme. Në këtë vazhdë, në koordinim me aksionarin dhe Bankën Botërore tashmë është aplikuar tek mekanizmat ndërkombëtarë dhe jemi ne proces te marrjes se një kredie te butë për rehabilitimin dhe rikultivimin e tërë hapësirës se gropave te ish mihjeve te Bardhit dhe Mirashit. Në këtë rast, një sipërfaqe prej rreth 10 km2 e cila është shfrytëzuar për eksploatim të qymyrit gjatë një periudhe shekullore do te rehabilitohet dhe do të kthehet ne gjendjen paraprake dhe për shfrytëzim të komunitetit.
KEK-u do të vazhdoi me adresimin e brengës së përbashkët që kemi për mjedisin në zonën e ndikimit që ka korporata. Andaj, mirëpresim çdo reagim te bazuar dhe inkurajojmë që të gjitha brengat rreth kësaj çështje për të mirë të qytetarëve dhe komunitetit, ti diskutojmë bashkërisht.
Zyra Ekzekutive për Marrëdhënie me Publikun dhe Komunitetin
Korporata Energjetike e Kosovës KEK