Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), vazhdon traditën e bashkëpunimit afatgjatë të vendosur tash e disa vite më Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të UP-së (FIEK), për aftësimin e inxhinierëve të ardhshëm.
Drejtori Menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) Arben Gjukaj, së bashku me Dekanin e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të UP-së (FIEK) Prof. Asoc. Dr. Enver Hamitin edhe këtë vit ka nënshkruar marrëveshjen për aftësimin praktik profesional dhe akademik të studentëve të nivelit të lartë të FIEK-ut.
Synimi i bashkëpunimit të arritur përmes kësaj marrëveshje, është ngritja e kapaciteteve profesionale dhe përgatitja e stafit akademik, te kuadrit të lëmisë së inxhinierisë elektrike, për përmbushjen e nevojave afatmesme, jo vetëm në KEK por edhe në tregun e përgjithshëm të punës në Kosovë.
Përndryshe këtë vit akademik, studentet e nivelit të lartë të studimeve në FIEK do të zhvillojnë punën praktike profesionale në stabilimentet dhe pajisjet e KEK-ut.
Në këtë rast, studentët nën mbikëqyrjen e vazhdueshme profesionale të personelit të specializuar të KEK-ut do të kalojnë një program të avancuar të punës praktike profesionale që është dizajnuar sipas kurrikulës akademike me 6 ETCS kredi dhe ka një kohëzgjatje prej së paku 120 orëve të punës.
Në përfundim të këtij programi, studentët do të bëjnë një prezantim publik të programit të tyre të punës dhe të njohurive të marra para komisionit të nivelit akademik – profesional i cili do të shërbejë edhe si bazë e vlerësimit akademik.