Përkundër të gjitha sfidave të ndërlidhura me jetëgjatësinë e njësive me të cilat operon, pas përballjes me sukses me të gjitha sprovat e paraqitura vitin e kaluar, njësitë dhe stabilimentet prodhuese të qymyrit dhe energjisë elektrike të KEK-ut, janë kthyer në binarë të rregullt të ciklit operues, dhe korporata është duke prodhuar sipas planit dhe bilancit të aprovuar vjetor.
Siç jemi dëshmitarë të gjithë, kushtet meteorologjike të krijuara ditëve të fundit në Republikën e Shqipërisë, të cilat rezultuan me rritje të prurjeve dhe nivelit të liqenit të Fierzës në kufijtë maksimal, sollën probleme të mëdha, jo vetëm në mbarëvajtjen e punës se hidrocentraleve por edhe krijuan një rrezik për derdhje të ujit dhe dëmtim të pronës nga vërshimet.
Në anën tjetër, për shkak të motit të ftohtë në Republikën e Kosovës, që solli si pasojë, rritje të konsumit të energjisë elektrikë, furnizuesi publik (KEDS/KESCO) u detyra këto ditë të zbatojë reduktime të konsiderueshme në furnizim.
Në këtë vijë, në mënyrë që t’i dalë në ndihmë, kompanisë simotër KESH sh.a. dhe kompanisë përgjegjëse për furnizim të konsumatorëve në Kosovë ((KEDS/KESCO), përkundër faktit se është duke prodhuar sipas planit dhe bilancit të aprovuar, si dhe kufizimeve në linjat interkonektive mes dy vendeve, KEK është duke marrë, si depozitim nga Shqipëria, energji shtese deri 250 MWh/h, për të ndihmuar KEDS/KESCO-n në ballafaqimin me problemet që i janë paraqitur me import të energjisë.
Këtë energji shtesë, e cila është duke u depozituar këto ditë nga Republika e Shqipërisë, KEK-u do ta kthejë në periudhën kohore kur do të kërkohet nga KESH-i, konform marrëveshjes për shkëmbim mes dy korporatave simotra.
Me këta hapa të ndërmarrë, KEK dhe KESH janë duke bërë optimizmin dhe racionalizim e kostove të të dyja sistemeve dhe të shpenzimeve, që u mundësojnë furnizuesve publik ofrimin e shërbimeve kualitative dhe të përballueshme për konsumatorët e të dyja vendeve.