Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton opinionin publik se ka parashtruar tashmë padi ndaj znj. Janina Imeri, e cila ndodhet në shqyrtim nga organet kompetente të drejtësisë, si pjesë e veprimeve ligjore për mbrojtjen e integritetit institucional.
KEK ka vërejtur se znj. Imeri, në mënyrë të vazhdueshme, ka shpërndarë informata të pasakta, propaganduese dhe të pavërtetuara lidhur me prodhimin e energjisë elektrike, duke krijuar konfuzion te opinioni publik dhe duke tentuar t’i atribuojë KEK-ut përgjegjësi që nuk i përkasin. Në mënyrë të papranueshme, në paraqitjet e saj të fundit, ajo ka denigruar edhe punonjësit dhe përfaqësuesit e KEK sh.a., duke shkelur standardet profesionale dhe etike të komunikimit publik. Kjo sjellje është e dëmshme për imazhin institucional të Korporatës dhe nuk mund të tolerohet.
I bindur në korrektësinë e plotë të njoftimeve të bazuara në të dhëna zyrtare, dhe duke besuar në funksionimin e shtetit ligjor, KEK sh.a. ka parashtruar këtë padi dhe është e vendosur që, edhe në të ardhmen, në çdo rast të keqinformimit tendencioz të parashtrojë padi pranë organeve kompetente të drejtësisë, për të përcaktuar qartë se kush po çorienton opinionin publik dhe për çfarë qëllimesh.
Për të ndaluar përhapjen e dezinformatave, KEK sh.a. ka ndërmarrë dhe do të vazhdojë të ndërmarrë çdo masë raportimi, përfshirë raportimin e profileve në rrjetet sociale, si dhe çdo veprim ligjor të nevojshëm. Çdo përpjekje për të denigruar punonjësit ose përfaqësuesit e Korporatës do të ndjeket ligjërisht.
KEK sh.a. dëshiron të theksojë se nuk ekziston asnjë pengesë për qasjen në informacionet zyrtare, të cilat janë publike, transparente dhe të qasshme për të gjithë përmes ueb-faqes zyrtare të Korporatës.
Të dhënat e prodhimit janë zyrtare, të verifikueshme dhe të krahasueshme me të dhënat publike të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT.