Zëvendëskomandanti i përgjithshëm i KFOR-it, Gjenerali Johann Luif më bashkëpunëtorë ka vizituar të martën KEK-un. Ai është pritur nga Drejtori Menaxhues i KEK-ut, z. Arben Gjukaj. Të dy palët janë zotuar për vazhdimin e bashkëpunimit i cili është në nivelet më të larta. “Marrëdhëniet KEK- KFOR kanë qenë gjithnjë të mira. Ne zotohemi për vazhdimin dhe avancimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi”, tha z. Gjukaj.
Zotim të njëjtë ka shprehur edhe z. Luif.“KFOR-i gjithnjë do të mbështes prosperimin në Kosovë. Rëndësi të veçantë ka edhe energjia elektrike. Në këtë mision e keni mbështetjen tonë të plotë”, tha z. Luif.
Gjukaj i ka shpjeguar numrit dy të KFOR-it gjendjen e prodhimit të energjisë elektrike dhe të qymyrit. “Termocentralet po prodhojnë energji elektrike si asnjëherë më parë. Tashmë njësia B2 po prodhon si në kohën kur ka qenë e re. Stabilitet të theksuar të prodhimit po arrijnë edhe blloqet e termocentralit Kosova A”, njoftoi Gjukaj. Ai shpjegoi se përfudimisht është siguruar edhe furnizimi afatgjatë i termocentraleve me qymyr dhe rezervat në deponi gjithnjë mjaftojnë për nje periudhë që ofron një komoditet në operim. Gjatë vizitës në termocentrale dhe miniera, z. Luif është ndarë mjaft i kënaqur me gjendjen. “Kam qenë këtu edhe para 10 vjetësh. Gjendja ka ndryshuar rrënjësisht për të mirë. Gëjndja në vitin 2000 kur isha për herë të parë dhe gjendja e tanishme as nuk mund të krahasohen”, shtoi z. Luif.
Delegacioni i KFOR-it është ndarë mjaft i kënaqur edhe me projektet ambientale që po bën korporata.