Përkundër angazhimeve rreth sanimit të pasojave të aksidentit të datës 06 qershor 2014, për stabilizimin e prodhimit para sezonit të dimrit, KEK-u është duke vazhduar përmbushjen e objektivave, që ka rreth përmirësimit të mjedisit ku operon.
KEK-u ka trashëguar një situatë të vështirë sa i përket ambientit, për shkak të degradimeve të bëra nga e kaluara, por me investimet e deritashme ka treguar një përkushtim të madh për t'u mundësuar banorëve një mjedis me të pastër dhe më të shëndetshëm për jetë. Në këtë vijë, jemi dëshmitar të përfundimit të suksesshëm të investimeve të filluara tash e katër vite në mbrojtje të mjedisit, që kapin shumën prej mbi 50 milion Euro, kryesisht nga mjetet vetanake .
Në fillim të kësaj jave ka filluar edhe ripaketimi dhe përgatitja për transport e një sasie prej rreth 2 mijë e 500 ton shtesë materiesh të rrezikshme që do të eksportohen jashtë vendit për trajtim adekuat.
Trajtimi i këtyre materieve bëhet në kuadër të vazhdimit të projektit që financohet nga Banka Botërore dhe Mbretëria e Holandeze,për trajtimin e materieve të rrezikshme, të cilat janë identifikuar në stabilimentet, që fillimisht nuk ishin pjesë e këtij projekti. Ky projekt përfshin edhe largimin përfundimtar, jashtë vendit, të depozitave të trajtuara dhe të paketuara më pare.
KEK-u, tashmë ka implementuar projektin për eliminimin e rrezikut prej mbi 20 mijë m
3materie te rrezikshme, që gjendeshin në ish-Gazifikim. Me këtë rast janë trajtuar materie kimike (ujëra fenolike, benzol, fenol të koncentruar, lym katrani, vajra te kontaminuar, etj) prej rreth 18.000 m3 dhe diku rreth 2000 m3 katran, nga të cilat rreth 14.000 t janë trajtuar në zonën e Gazifikimit, ndërsa pjesa tjetër eksportohet jashtë Republikës së Kosovës për trajtim adekuat.
Me përfundimin e këtyre projekteve Korporata synon eliminimin e ndotjes së grumbulluar përgjatë dekadave të punës,t’ia kthej natyrës zonat e degraduara gjatë eksploatimit shumëvjeçar dhe të vazhdojë të operojë shumë më pastër.