KEK sh.a. shpreh qëndrimin e vetë të qartë në lidhje me kategorizimin e disa bizneseve në Gjilan se po i reskepton marrëveshjet kontraktuale me bizneset në këtë anë. Marrëveshjet kontraktuale afariste në mes të KEK-ut dhe secilit biznes janë vullnetare dhe kushtet e parapara në marrëveshje nuk mund të shkelen. Në rastin specifik në Gjilan KEK sh.a. është detyruar të ndërrojë kategorizimin e bizneseve pasi kushtet ishin shkelur. Humbjet komerciale kanë arritur deri në 20 për qind, ndërsa inkasimi në nivelin 78 për qind, edhe pse është obligative të jetë 100 për qind. Një situatë e tillë e obligon KEK-un të veprojë konform rregulloreve dhe ligjeve në fuqi. Dihet se KEK është kompani komerciale dhe ka aksionar Qeverinë e Kosovës. Çdo tolerim në shkeljen e kushteve dëmton edhe korporatën edhe interesat e aksionarit. Korporata nuk mund ta favorizojë askënd sikurse nuk mund të diskriminojë ndonjë konsumator. Të gjithë konsumatorët trajtohen njëjtë dhe i nënshtrohen rregullave dhe ligjeve në fuqi. Korporata është e detyruar ta respektojë në përpikëri kategorizimin ABC të miratuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) dhe nuk mund të veprojë ndryshe. Korporata mbetet e përkushtuar t’i ndihmojë në maksimum bizneset si faktor kyç i zhvillimit ekonomik të vendit, por këtë mund ta bëjë dhe e bën vetëm brenda suazave ligjore. Prandaj, KEK sh.a. fton bizneset e Gjilanit, sikurse të gjitha bizneset dhe konsumatorët anekënd vendit që t’u përgjigjen kushteve, rregullave dhe ligjeve në fuqi dhe korporata i siguron se do t’ua shpërblejë me shërbime kualitative.