Dje, më 09 korrik 2015, një delegacion i lartë i Komisionit Evropian, i udhëhequr nga z. Jean-Eric Paquet, Drejtor për Ballkanin Perëndimor në DG NEAR vizitoi KEK-un.
Me këtë rast ai vizitoi zonën e ish Gazifikimit dhe Azotikut, termocentralin “Kosova A” dhe termocentralin “Kosova B”. Gjatë kësaj vizite, delegacioni u prit dhe u shoqërua nga Drejtori Menaxhues i KEK-ut, z. Arben Gjukaj si dhe menaxhmenti i KEK-ut. Z. Gjukaj informoi delegacionin e Bashkimit Evropian rreth proceseve nëpër të cilat po kalon KEK-u, aktiviteteve dhe rezultateve të arritura operuese dhe mjedisore.
KEK-u ka trashëguar një situatë të vështirë sa i përket ambientit, për shkak të degradimeve të bëra nga e kaluara. Si ilustrim, ish Gazifikimi dhe Azotiku, ku zhvilloheshin procese komplekse teknologjike, në vitin 1988 ndërpret punën, pa asnjë plan ndalese, rikuperimi apo de-komisionimi. Si pasojë për më tepër se 20 vjet, stabilimentet e braktisura pa asnjë kontroll, në një zone me mbi 100 hektarë kishte paraqitur rrezik permanent, duke pasur një sasi të madhe të materieve të rrezikshme.
“Përkundër sfidave të ndërlidhura me stabilizimin e prodhimit , një prej objektivave kryesore të korporatës, tash e pesë vite, ishte dhe mbetet mbrojtja e mjedisit në hapësirat ku operon. Në këtë rast, jemi dëshmitar të përfundimit të suksesshëm të investimeve të filluara tash e katër vite në mbrojtje të mjedisit, që kapin shumën prej mbi 50 milion Euro, kryesisht nga mjetet vetanake. ” tha z. Gjukaj.
Ne këtë vijë është implementuar edhe projekti i financuar nga Banka Botërore dhe Mbretëria Holandeze për asgjësimin e mbi 20 mijë tonelatave të fenoleve dhe materialeve tjera të rrezikshme që gjendeshin në ish Gazifikim dhe Azotik, zonë ku KEK-u asnjëherë nuk ka operuar, me ç ’rast pjesa më e madhe e tyre janë asgjësuar, ndërsa pjesa tjetër janë transportuar jashtë vendit për trajtim të mëtutjeshëm në vendet e BE-së. Më tej, delegacioni u njoftua edhe në lidhje me investimet tjera në projektet ambientale të finalizuar vitin e kaluar, siç janë ndërrimi i elektro-filtrave të njësive të Termocentralit “Kosova A”, transporti hidraulik i hirit dhe rehabilitimi kodrave të hirit. Të gjitha këto projekte u realizuan me mjetet vetanake të KEK-ut dhe donacionet e Mbretërisë Holandeze dhe Bankës Botërore.
Gjatë vizitës në Termocentralin Kosova A, delegacioni u informua edhe rreth përfundimit me sukses të remonteve pas avarisë se vitit të kaluar, me ç ‘rast ky termocentral tashmë është duke prodhuar sipas planit. Në këtë vijë, z Gjukaj falënderoi Bashkimin Evropian për përkrahje të vazhdueshme të dhënë gjatë viteve të kaluara, e cila po vazhdon edhe më tej.
Z. Paquet theksoi vlerësimin e BE-së për punën e bërë në të kaluarën nga KEK-u, e sidomos për shkak të kushteve të vështira në të cilat funksionon. Jean-Eric Paquet u fokusua në mënyrë të veçantë në rëndësinë e përmirësimit të standardeve mjedisore në sektorin e energjisë dhe siguroi mbështetjen e vazhdueshme të BE-së në arritjen e këtij synimi. "BE-ja ka qenë gjithmonë mbështetëse e sektorit të energjisë së Kosovës. Përderisa të gjithë jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e sigurimit të energjisë së sigurt, nuk duhet asnjëherë të harrojmë rëndësinë e njëjtë për respektim të ambientit. Së shpejti, procesi i dekomisionimit të njësive jo-gjeneruese të “Kosovës A” duhet të fillojë. Ne do të mbështesim gjithashtu një studim fizibiliteti për rehabilitimin e “Kosovës B” në harmoni me normat më strikte të BE-së, dhe për ndërtimin e një deponie për materiet e rrezikshme. Si gjithmonë, BE-ja mbetet e përkushtuar në mbështetje të masave për efiçiencë të energjisë dhe burime të ripërsëritshme të energjisë përmes fondeve tona IPA 2014-2020", tha z. Paquet.