KEK sh.a. njofton se më 27.11.2012, në orën 14:45 ka ardhur deri tek rënia totale nga puna e trafostacionit TS 35/10kV Prishtina 2, për shkak të dëmtimit të kabllove të daljes 10kV Exclusive nga kompania Pro-Ing kompani e cila ka qenë duke punuar për Kompaninë Lesna në Kalabri. Ky trafostacion është kyçur në ora 15:00, por daljet e prishura, përkatësisht ato Exclusive dhe dalja 10 kV Spitali mbesin në prishje. KEK ka filluar menjëherë furnizimin e QKU-së nga dalja alternative, por fatkeqësisht si pasojë e mbingarkesës ka rënë nga puna edhe kjo dalje, përkatësisht dalja 10kV nr.37 nga TS 110/10kV Prishtina 2. Me këtë rast pa furnizim me energji elektrike kanë mbetur lagjet: Bregu i Diellit, Lagjja e Spitalit si dhe QKU-ja e cila ka qenë duke u furnizuar nga kjo dalje pas dëmtimit të furnizimit kryesor nga TS 35/10kV Prishtin 2. Ekipet e KEK-ut kanë dal menjëherë në terren dhe janë duke i sanuar prishjet. Fatkeqësisht përkundër apeleve të shumta të korporatës kompanitë që kryejnë punë të ndryshme po tregohen shumë të papërgjegjshme duke dëmtuar kabllot që furnizojnë pjesë të mëdha të kryeqytetit. Në këtë rast ky dëmtim është edhe më i dhimbshëm pasi pa energji elektrike ka mbetur konsumatori më prioritar i KEK-ut, QKU-ja. Veprime të tilla janë të paprecedan dhe të papranueshme. Korporata do të ndërmerrë të gjitha masat ligjore ndaj kompanisë në fjalë dhe ndaj të gjitha kompanive tjera që nuk tregojnë përgjegjësi duke dëmtuar kabllot dhe duke lënë pa furnizim edhe konsumatorët shumë të ndjeshëm.