Kongresistët amerikanë z. Eliot L. Engel dhe z. Gary C. Peters kanë vizituar të dielën KEK-un, përkatësisht asetet kryesore të korporatës. Ligjvënësit amerikanë janë pritur nga Drejtori Menaxhues i KEK-ut, z. Arben Gjukaj. Kongresistët janë ndarë mjaft të kënaqur me gjendjen e korporatës dhe mënyrën e menaxhimit. “Këtu po prodhohet energjia elektrike dhe ajo është jetike për ekonominë dhe qytetarët e Kosovës. Vetëm vazhdoni përpara. E keni mbështetjen tonë të plotë.”, kanë siguruar z. Engel dhe z. Peters. Ndërkaq, z. Gjukaj i ka njoftuar kongresistët në lidhje me zhvillimet brenda korporatës. “KEK-u sivjet pritet të ketë të hyra mbi 220 milionë euro që është dyfishim në krahasim me katër vjet më parë. Korporata sot ka stabilitet financiar dhe po investon në të gjitha hallkat”, tha z. Gjukaj. Ai i informoi ligjvënësit amerikanë se po investohen në TC “Kosova B” dhe njësia B2 që do të kthehet nga remonti në fund të këtij muaji do të prodhojë si në kohën kur ka qenë e re, po i ndërrohen elektrofiltrat tri njësive të TC “Kosova A” dhe tymi nuk do të vërehet thuajse fare, përderisa është hapur edhe miniera e re që siguron stabilitet të furnizimit deri në kohën e mbylljes së termocentraleve ekzistente. Kongresistët në vizitën bërë KEK-ut kanë qenë të shoqëruar edhe nga stafi më i lartë i USAID-it në Kosovë. Agjencia amerikane ka ndihmuar vazhdimisht korporatën në rrugën e saj të stabilizimit. Pjesë e delegacionit të kongresistëve që vizituan korporatën kanë qenë edhe përfaqësues të komunitetit shqiptaro- amerikanë.