Tash e disa vite, koncepti i menaxhimit në KEK ka ndryshuar nga aktivitetet emergjente të investimeve dhe mirëmbajtjes në ato preventive dhe të planifikuara. Falë kësaj dhe mobilizimit në të gjitha hallkat e ndërlidhura, përkundër operimit me njësi, që kanë një moshë mesatare 40 vjeçare, KEK-u ka arritur që vit pas viti të rrisë në mënyrë të vazhdueshme nivelin e prodhimit, me ç’rast në vitin 2013, prodhimi i arritur, prej 6 milion e 300 mijë MWh, ishte dyfish më i madh në krahasim me atë që ishte dhjetë vite më herët. Si rrjedhim, për herë të parë pas luftës, në Kosovë prodhimi i energjisë kishte tejkaluar konsumin në nivel vjetor. Pas avarisë aksidentale, që ndodhi në qershor 2014, në Termocentralin Kosova A, korporata është përballur me shumë sfida dhe ka kaluar një dimër të vështirë. Me këtë rast, edhe pse është ballafaquar me mungesë të hyrave të rregulluara për shkak të mungesës së prodhimit,  korporata ka mbijetuar dhe ka arritur që të gjitha aktivitetet investive rreth  funksionalizimit të këtyre njësive të kryej, ekskluzivisht, me forca vetanake. Përkundër gjendjes së konstatuar pas aksidentit dhe moshës së këtyre njësive, falë përkushtimit maksimal të menaxhmentit dhe punëtorëve të KEK-ut, me kursime buxhetore të bëra nga gjitha linjat pos atyre që prekin operimet qenësore dhe sigurinë, investimet në riparimin e njësive të Kosovës A janë duke shkuar drejt përfundimit. Si rrjedhim, pas përballjes me sukses me gjithë këto sprova, njësite dhe stabilimentet prodhuese të qymyrit dhe energjisë elektrike, janë kthyer në binarë të rregullt të ciklit operues, dhe KEK është duke prodhuar sipas planit. Nga aspekti teknik termocentralet si njësi gjeneruese të energjisë elektrike  prodhojnë në bazë të bilancit vjetor të aprovuar ku janë të definuar të gjitha afatet kohore të ndalesave të secilës njësi gjeneruese.  Në këtë vije, duke marr parasysh ngarkesat sezonale të shfrytëzimit të njësive gjeneruese dhe pajisjeve në miniera, tashmë kemi hyrë në sezonin e rregullt të remonteve dhe përgatitjeve teknologjike të tyre për periudhën vijuese vjeshtë/dimër. Me këtë rast, në njësinë  B1 janë duke u zhvilluar aktivitete të planifikuara të mirëmbajtjes, si edhe disa intervenime të nevojshme që janë kërkuar të bëhen nga kontraktorët e Termokosit, për sa i përket ko-gjenerimit. Të gjitha këto punë do të përmbyllën brenda një afati 10 ditorë. Pas përfundimit të kësaj, dhe lëshimit në punë të kësaj njësie, sipas bilancit në njësinë B2 do të ndërmerren veprime të mirëmbajtjes së rregullt, që pritet të zgjasin 35 ditë. Të gjitha këto aktivitete të planifikuara tash e një vit më parë, që rrisin qëndrueshmërinë  e njësive do të mundësojnë furnizuesit publik ( KEDS) dhe Termokosit furnizim stabil me energji elektrike dhe ngrohje nga prodhimi vendor.