Tashmë ka nisur të marrë formën përfundimtare elektrofiltri i ri i njësisë A5. Ky ndërtim modern pritet të përfundojë brenda disa javësh. Menaxhmenti i KEK-ut, i cili ka inspektuar punimet, është ndarë mjaft i kënaqur me dinamikën dhe cilësinë e punimeve. “Vendosja e pajisjeve të fjalës së fundit të teknologjisë tregon përkushtimin e KEK-ut ndaj ambientit. Investimi tashmë është i prekshëm dhe pas disa javësh jeta e qytetarëve përreth do të jetë shumë më kualitative”, tha Arben Gjukaj, Drejtor Menaxhues i KEK-ut. Elektrofiltri i ri ka kapacitete të dyfishuara të depozitave. Pas lëshimit të punë, emisionet e gazrave  nga blloku A5 do të jenë brenda standardeve të Bashkimit Evropian. Emisioni do të jetë rreth 15 fish më i vogël. Punët është duke i implementuar kompania me nam botëror nga Gjermania, Hamon Envoirmental në konzorcium me kompaninë Intering, e cila kishte fituar tenderin për vendosjen e elektrofiltrave të rinj. Vendosja e elektrofiltrit të ri është pjesë e projektit më madhor ambiental të KEK-ut. Në bazë të projektit do të ndërrohen elektrofiltrat e njësive aktive të TC “Kosova A”, përkatësisht A3, A4 dhe A5. Pas elektrofiltrit të njësisë A5, do të nisë menjëherë ndërrimi i njësisë A3 dhe do të zgjasë deri në tremujorin e tretë, kur nisë ndërrimi i elektrofiltrit të njësisë A4. Projekti do të përfundojë në tremujorin e parë të vitit 2013 dhe ka koston prej mbi 25 milionë eurosh, investim vetanak i KEK-ut. Viti 2012 për KEK-un është vit i investimeve në ambient ku janë ndarë mjetet më të mëdha investive me një kosto totale prej afro 50 milionë eurosh. Ndërrimi i elektrofiltrave është një nga 4 faktorët që si pasoje e degradimit të mëhershëm dhe teknologjisë se trashëguar ishin identifikuar si ndotës nga ekspertët e ambientit.. KEK është duke punuar në eliminimin e të katër ndotësve dhe në vitin 2013 ambienti ku operon KEK-u do të jetë shumë më i pastër dhe jeta e qytetarëve shumë më kualitative. Pos elektrofiltrave, KEK ka në përfundim e sipër edhe projektin për mbulimin e kodrës së hirit pranë TC “Kosova A”, ndërtimin e sistemit hidraulik të bartjes së hirit dhe asgjësimin e mbi 20 mijë tonë substanca të rrezikshme. Të gjitha këto projekte do të përfundojnë brenda këtij viti.