KEK sh.a. njofton se ndërprerja e energjisë elektrike që ndodhi mbrëmë për rreth 2 orë në qendër të Prishtinës dhe në Dardani prej orës 20:00 deri rreth orës 22:00 ka ndodhur për shkak të prishjeve në stabilimentet e KOSTT-it. Kjo prishje ka bërë që të dalë jashtë sistemit nënstacioni 110 kV (kilovolt) Prishtina III, duke afektuar një numër të madh të konsumatorëve në kryeqytet. Ndryshe, gjendja është stabile dhe nuk ka reduktime.
KEK reagon ndaj disa agjencioneve të lajmeve të cilat spekulojnë se si qenkan rikthyer reduktimet në kryeqytet. Korporata sqaron se nuk ka reduktime në këto lagje të kryeqytetit sepse gjenden në kategorinë A dhe kjo kategori tash e një kohë të gjatë nuk i nënshtrohet reduktimeve. Prandaj, prishjet si kjo e fundit të shkaktuara nga ana e KOSTT-it nuk guxojnë assesi të përzihen me reduktime dhe të akuzohet KEK-u pa të drejtë. Korporata është mjaft e përgatitur dhe po i shpërblen me energji elektrike konsumatorët që paguajnë faturat e tyre. Prandaj, në këtë situatë KEK apelon tek të gjithë konsumatorët t’i kryejnë obligimet e tyre, veprim ky që do të shpërblehet me energji elektrike pa ndërprerje.