Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) sqaron opinionin publik lidhur me artikullin e publikuar nga “Buletini Ekonomik”, me titull “Investimet në KEK, vetëm në letër”, i cili përmban të dhëna të pasakta dhe jep një pasqyrë të gabuar të gjendjes aktuale të projekteve dhe investimeve strategjike që janë në proces të zhvillimit apo janë realizuar me sukses në kuadër të KEK-ut.
Në kundërshtim me pohimet e artikullit, KEK sh.a. është duke zbatuar një sërë projektesh kapitale dhe strategjike që përfaqësojnë njërin ndër ciklet më të rëndësishme të modernizimit të sektorit energjetik në Kosovë, në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Energjisë 2022–2031 dhe objektivat e tranzicionit energjetik.
Projekti kapital i modernizimit dhe rehabilitimit të Njësisë A3
Ky është projekti më i madh i dekadës së fundit në sektorin e energjisë në Kosovë, me vlerë të parashikuar mbi 137 milionë euro.
Projekti përfshin ndërhyrje të thella në komponentët kryesorë të njësisë për të rritur efikasitetin, jetëgjatësinë dhe sigurinë operative të saj. Aktualisht është në fazë të avancuar për zbatim dhe do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në stabilitetin e furnizimit me energji dhe ruajtjen e kapaciteteve bazë të vendit.
Projekti për elektrofiltrat në TC Kosova B
Artikulli e paraqet gabimisht këtë projekt si të pezulluar për arsye të KEK-ut. Në fakt, KEK ka përmbushur të gjitha obligimet e saj teknike dhe financiare për krijimin e kushteve për nisjen e punimeve.
Në vitin 2023 është përfunduar me sukses projekti i dilatimeve të kazanëve, me vlerë mbi 20 milionë euro, që ishte parakusht teknik i kërkuar nga Bashkimi Evropian për fillimin e punimeve për elektrofiltrat.
Projekti i elektrofiltrave, me vlerë totale prej 76.4 milionë euro, financohet nga fondet IPA të BE-së dhe menaxhohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Si i tillë, afatet e implementimit varen nga procedurat e BE-së dhe jo nga KEK.
Për reference, më 23 maj 2025 është nënshkruar Amandamenti Nr. 9 ndërmjet Bashkimit Evropian dhe kontraktorit, që shënon hap konkret drejt fillimit të punimeve në vitin e ardhshëm.
Projekti i modernizimit të turbinave në TC Kosova B
Një nga sukseset më të rëndësishme të vitit 2025 është përfundimi me sukses i modernizimit të turbinës në njësinë B2, investim kapital që ka rritur dukshëm performancën teknike dhe efikasitetin e njësisë.
Në vitin 2026 pritet të zbatohet projekti identik në njësinë B1, me vlerë investimi mbi 56 milionë euro, çka do të kompletojë ciklin e modernizimit të dy njësive të TC Kosova B.
Projekti Solar 100MW - “Solar4Kosovo”
Ky projekt përfaqëson kapacitetin e parë të madh të energjisë diellore në pronësi publike në Kosovë dhe është në proces përgatitor për zbatim.
Projekti Solar 100 MW në kuader të “Solar4Kosovo”, është projekt që do të realizohet përmes investimeve vetanake të KEK-ut, granteve ndërkombëtare dhe kredive të buta, ndërsa procedurat do të udhëhiqen nga KfW.
Ky projekt është në përputhje të plotë me prioritetet kombëtare për tranzicion të gjelbër dhe diversifikim të burimeve të energjisë. Njoftimin e fundit “Fillimi i punimeve në projektin Solar4Kosovo I” e gjeni të publikuar më 08.09.2025 në ueb-faqen dhe rrjetet sociale të KEK-ut.
Performanca financiare dhe aftësia investuese
Pavarësisht sfidave të tregut energjetik, KEK mbetet institucioni më stabil financiarisht në sektorin energjetik të Kosovës.
Në vitin 2024, kompania ka përmbyllur vitin me një performuar të mirë, ndërkohë që ka bërë kërkesa të përsëritura për rishikimin e çmimit të shitjes së energjisë (nga 29.5 në 31.5 €/MWh), me qëllim të sigurimit të financimit të qëndrueshëm për projektet kapitale strategjike.
Transparenca
KEK në mënyrë të vazhdueshme publikon informacione të detajuara dhe transparente për të gjitha projektet strategjike — madje për secilën fazë të tyre. Për referencë, më poshtë paraqiten disa nga publikimet kryesore që mund t’i gjeni në ueb-faqen dhe rrjetet sociale zyrtare të KEK sh.a.:
• Projekti A3 – Konferenca fillestare e mbajtur më 23.01.2025, e pasuar nga konferenca e radhës për hapjen e aplikimeve më 04.07.2025, e cila u transmetua drejtpërdrejt për herë të parë në vend, duke shënuar një standard të ri transparence;
• Projekti i modernizimit të turbinave – Publikimi “Një arritje historike për sistemin energjetik të Kosovës” (28.09.2025), mbi përfundimin me sukses të modernizimit të turbines në njësinë B2;
• Projekti i elektrofiltrave – Njoftimi me datë: 23.05.2025 - “KEK dhe BE afër fillimit të projektit të elektrofiltrave”, mbi progresin e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian lidhur me projektin, ku edhe është nënshkruar Amandamenti Nr 9, në mes BE-së dhe kontraktorit;
• Projekti “Solar4Kosovo” – Njoftimi i përbashkët (08.09.2025), me pjesëmarrjen e WBIF, KfW, EIB dhe KEK, që thekson përkushtimin ndaj zhvillimit të projektit.
Prandaj, duke pasur parasysh faktet e paraqitura më sipër, pretendimet se në KEK mungojnë investimet reale janë të pabazuara dhe nuk pasqyrojnë realitetin e zhvillimeve në këtë institucion strategjik të vendit.
Artikuj të tillë vetëm sa kontribuojnë në keqinformimin e publikut dhe në minimizimin e përpjekjeve institucionale të një kompanie që vazhdon të jetë shtylla kryesore e sigurisë energjetike të Republikës së Kosovës.
KEK sh.a. mbetet e përkushtuar të avancojë me transparencë dhe profesionalizëm projektet e saj strategjike, në përputhje me standardet evropiane të operimit dhe mbrojtjes së mjedisit, duke vazhduar rolin e saj thelbësor në zhvillimin e qëndrueshëm energjetik të vendit.