Të gjithë punëtorët aktual të KEK-ut (diku 7500 sosh) tash e tutje do të kenë sigurim shëndetësor si pjesë e përfitimeve të mbuluara nga punëdhënësi. Kjo është arritur pasi KEK  ka nënshkruar kontratën me kompaninë Siguria për ketë shërbim. Kjo kompani kosovare ka fituar në tenderin e hapur për këtë çështje duke ofruar çmimin më të lirë. Lista e sigurimit përfshin një gamë të gjerë të shërbimeve shëndetësore. “ Ne jemi të përkushtuar dhe në vazhdimësi kemi përmirësuar kushtet e punëtorëve. Edhe kontrata e sotme është një indikator që tregon se të gjithë punëtorët e korporatës do të kenë një jetë më të mirë, më të lehtë dhe më të begatë. Kushtet e punëtorëve do të vazhdojnë të përmirësohen edhe në të ardhmen pasi paraqesin një nga segmentet kryesore të orientimit të KEK-ut”, tha Arben Gjukaj, Drejtor Menaxhues i KEK-ut. Përfaqësuesit e kompanisë “Siguria” janë zotuar se do ta respektojnë kontratën pikë për pikë. “E falënderojmë KEK-un për vlerësim fer dhe korrekt, sikurse për besimin që tregon në vazhdimësi për bizneset kosovare”, tha Drejtori i kompanisë Siguria, z. Rrahim Pacolli. KEK është punëdhënësi më i madh në vend dhe deri tash ka mbuluar me mjete vetanake të gjitha lëndimet në vendin e punës.