KEK sh.a. njofton se ka nisur ndërtimi i Trafostacionit Prishtina 7. Ky projekt me vlerë afro 5 milionë eurosh është investim i KEK-ut dhe do të ndërtohet nga kompania me nam botëror, ABB.
“KEK sh.a. po bën përpjekje maksimale që të ofrojë shërbime sa më kualitative për konsumatorët e vet. Kjo është një sfidë që nënkupton investime në vlera të mëdha në të gjithë sektorët e korporatës, anekënd vendit”, tha Drejtori Menaxhues i KEK-ut, z. Arben Gjukaj.
Ai tha se investimet mundësohen nga rritja e vazhdueshme e inkasimit, sikurse rritja në të gjithë sektorët tjerë. “Korporata u takon të gjithë qytetarëve të vendit, menaxhmenti i saj dhe punëtorët po bëjnë maksimumin të veprojnë si të tillë. Pra, të ketë investime dhe ato të jenë të prekshme për të gjithë”, shtoi Gjukaj.
Investimet në Rrjetin e Shpërndarjes janë të shumta për të përballuar kërkesën në rritje të vazhdueshme për energji elektrike. Puna që po bën korporata është përshëndetur edhe nga Qeveria e Kosovës.
“KEK ka shënuar përformancë të mirë në të gjitha aspektet vjetëve të fundit. Ne i kemi zvogëluar dukshëm subvencionet pikërisht për shkak të rritjes së të hyrave dhe përmirësimit të vazhdueshëm në furnizim. KEK-u po e dëshmon se është i gatshëm gjithnjë e më tepër të ballafaqohet vetë me këto sfida”, tha Ministri i Zhvillimit Ekonomik, z. Besim Beqaj.
Ky investim po është i domosdoshëm si pasojë e zgjerimit të kërkesës për ta evituar ngarkesën në lagjet Bregu i Diellit, Matiçan, Lagjja e Spitalit, Veternik, Çagllavicë, Preoc, Hajvali, si dhe potencialisht në zonën industriale përreth QMI-së. Spitalet do të kenë furnizim më të qëndrueshëm duke ju ofruar furnizim alternativ për tu përballur me emergjenca. Ky TS do t’i mundësojë KEK-ut të sigurojë linja të veçanta 10(20) kV për konsumatorët industrial, nëse kërkohet.
“Ne jemi të lumtur që e kemi fituar tenderin e KEK-ut për ndërtimin e këtij trafostacioni, sikurse për investimet në energjetikë që po bëhen në Kosovë. Zotohemi që do ta ndërtojmë në bazë të standardeve evropiane dhe botërore”, tha menaxheri rajonal i kompanisë ABB, z. Darko Eisenhuth.
KEK pos këtij trafostacioni, po investon edhe në shumë projekte tjera në Rrjetin e Shpërndarjes anekënd vendit si në zgjerimin e TS 110/35 kV Palaj, zgjerimi i TS 35 kV 110/10 kV në Skënderaj, ndërtimi i TS 110/10(20) kV Gjilani 5, zgjerimi NS 110/35 kV Prizreni 1, zgjerimi NS 110/35 kV Peja 1, zgjerimi NS 110/35 kV Bibaj Ferizaj 1 e shumë projekte tjera. Vlerësohet se për t’i përmbyllur me sukses të gjitha investimet e domosdoshme në rrjet futja e investitorëve privat është e mirëseardhur.