Një delegacion i lartë i Bankës Botërore, me në krye tre zëvendëspresidentët e përgjithshëm: z. Philippe Le Houérou, z. Dimitris Tsitsiragos dhe z. Michel Wormser, pastaj znj. Jane Armitage, drejtoreshë rajonale e Bankës Botërore dhe z. Jan Peter Olters, shef i Bankës Botërore për Kosovën  ka vizituar KEK-un. Delegacioni është shoqëruar edhe nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, z. Besim Beqaj dhe zv. ministri i Ambientit, z. Ilir Mirena. Delegacioni i lartë është interesuar dhe ka parë për së afërmi investimet që po bën korporata në çështjet ambientale. Udhëheqësit e Bankës Botërore (BB) fillimisht janë ndalur tek projekti i bartjes hidraulike të hirit nga termocentrali “Kosova A”, ku BB ka dhënë 1 milion euro, ndërsa KEK-u 7.7. milionë euro. Delegacioni i BB-së është ndarë mjaft i kënaqur me ecurinë e projektit. “Bartja e hirit përmes sistemit me shirita të hapur ka qenë një nga katër ndotësit e procesit të prodhimit të energjisë elektrike të radhitur nga ekspertët e ambientit. Pas ndërtimit të sistemit hidraulik, ndotja nga bartja e hirit do të jetë zero”, tha z. Arben Gjukaj, Drejtor Menaxhues i KEK-ut. Delegacioni ka parë për së afërmi edhe punimet që po bëhen në ndërrimin e elektrofilitrit të njësisë A5 që ka filluar para 2 javësh. “Pas 4 muajsh, kur A5 të ketë elektrofiltrin e ri emisioni do të jetë brenda standardeve të Bashkimit Evropian. Ndërsa, pas një viti kur do të jenë ndërruar edhe dy elektrofitrat e njësive A3 dhe A4 i tërë emisioni nga TC “Kosova A” do të jetë brenda standardeve të BE-së”, e ka njoftuar z. Gjukaj zëvendëspresidentin e BB-së. Delegacioni ka vizituar edhe blloqet e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B dhe janë ndarë mjaft të kënaqur me përmirësimet e vazhdueshme që po bëhen në operimet e tyre. Bashkëpunimi në projektet ambientale KEK- Bankë Botërore nuk është vetëm në rastin e Sistemit Hidraulik. Të dy subjektet janë në implementimin përfundimtar të projektit për mbulimin e kodrës së hirit pranë TC “Kosova A” dhe asgjësimit të mbi 20 mijë tonë substancave të rrezikshme, projekte për të cilat BB ka ndarë 10 milionë dollarë amerikanë.