Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton opinionin publik se sot, më 23.06.2025, njësia A5 e Termocentralit Kosova A është sinkronizuar me rrjetin elektroenergjetik rreth orës 10:03 të mëngjesit, duke shënuar një rikthim të suksesshëm në operim, pas realizimit të një sërë ndërhyrjesh dhe sanimesh teknike të domosdoshme.
Procesi i startimit të njësisë kishte filluar këtë mëngjes, pasi kishin përfunduar me sukses të gjitha ndërhyrjet e planifikuara, në kohë dhe me cilësi të lartë teknike.
Punimet e realizuara përfshijnë:
• Sanimin e rrjedhjeve në ritejnxehëse (i përfunduar të premten);
• Sanimin e rrjedhjeve në ekonomajzer (ngrohës i ujit) dhe në ekranet e kaldajës (i përfunduar të dielën);
• Pastrimin me pompë presioni të ftohësve të hidrogjenit;
• Pastrimin e komorave në hyrje të kondenzatorit;
• Punime mirëmbajtëse në pajisjet e sistemit MRRK;
• Pastrimin e kuotave rreth kaldajës nga materiale të huaja – për rritje të sigurisë dhe efikasitetit operacional.
Ky rikthim në operim konfirmon edhe një herë kapacitetin dhe gatishmërinë e ekipeve tona teknike, të cilat, me përkushtim profesional dhe koordinim të vazhdueshëm, siguruan një proces të suksesshëm dhe të qëndrueshëm të rikthimit të njësisë A5.
Kryeshefi Ekzekutiv i KEK sh.a., z.Gramos Hashani, ka falënderuar të gjithë punonjësit për angazhimin dhe përkushtimin e tyre:
“Edhe ky rast tregon përgjegjësinë që bartin punonjësit e KEK-ut, të cilët, edhe në ditë pushimi, nuk kursejnë as përpjekjet e as profesionalizmin për të mbështetur sistemin energjetik të vendit. Ju falënderoj për angazhimin dhe jam krenar për punën që keni bërë!”
--------------------------------------------------------------------------------
Vëmendje për opinionin publik
Duke marrë parasysh interesimin dhe ndjeshmërinë e qytetarëve, veçanërisht të banorëve që jetojnë në afërsi të Termocentralit Kosova A, KEK sh.a. dëshiron të ofrojë këtë sqarim teknik:
Ashtu siç kemi njoftuar edhe më parë, startimi i çdo njësie prodhuese, përfshirë njësinë A5 këtë mëngjes, është një proces kompleks dhe teknikisht i domosdoshëm, që zakonisht zgjat 3–4 orë.
Gjatë kësaj faze fillestare, për shkak të natyrës teknologjike të djegies – që fillimisht bëhet me naftë, e më pas, kur arrihet temperatura e nevojshme, me linjit – mund të ketë rritje të përkohshme të emetimeve nga oxhaqet.
Kjo është një dukuri e zakonshme dhe teknologjikisht e pashmangshme në të gjitha termocentralet e këtij lloji, brenda dhe jashtë vendit.
Siç dëshmohet edhe nga fotografitë e orës 11:07 (bashkelidhur), njësia është tashmë e stabilizuar dhe tymi është zhdukur, çka konfirmon përfundimin e suksesshëm të fazës së startimit.
KEK sh.a. bashkëndjen me qytetarët e komunës dhe posaçërisht me ata që ndodhen në afërsi të zonës operative. Sigurojmë qytetarët se proceset e startimit kryhen me përkujdesje të shtuar teknike, nën mbikëqyrje të vazhdueshme, dhe janë të domosdoshme për:
• garantimin e furnizimit stabil me energji elektrike, dhe
• ruajtjen e sigurisë teknike të pajisjeve elektroenergjetike.
Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm!
KEK sh.a. mbetet e përkushtuar ndaj menaxhimit të përgjegjshëm të kapaciteteve prodhuese, përmes mirëmbajtjes së kujdesshme, planifikimit teknik dhe angazhimit profesional të pandërprerë, për të garantuar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike për vendin